Kica-Xhelili: Kosovën e çoi në zgjedhje pangopësia për pushtet e Kurtit
Foto: Laura Hasani

Kica-Xhelili: Kosovën e çoi në zgjedhje pangopësia për pushtet e Kurtit

Aktuale June 05, 2026 - 20:53

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se vendi është çuar në zgjedhje për shkak të, siç tha ajo, “pangopësisë për pushtet”.

Gjatë debatit zgjedhor, Kica-Xhelili deklaroi se Kurti synon të përqendrojë sa më shumë pushtet në duart e tij, duke pretenduar se dëshiron të kontrollojë institucionet kryesore të shtetit.

“Kristal e qartë, Kosovën e ka çuar në zgjedhje pangopësia për pushtet. Një kryeministër në detyrë që dëshiron të jetë edhe kryeministër, edhe kryetar, edhe president, e madje edhe kryeprokuror”, tha ajo.

Sipas saj, deklaratat e fundit të Kurtit për sistemin prokurorial tregojnë synimin për të cenuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.

“Nëse e keni dëgjuar intervistën e fundit të Kurtit, ai bën krahasime mes sistemit prokurorial të Kosovës dhe atij amerikan, duke lënë të kuptohet se Kosova nuk ka nevojë për një prokurori të pavarur. Kjo tregon saktë qëllimin e tij për të kontrolluar gjithçka”, u shpreh Kica-Xhelili.

Ajo shtoi se Vetëvendosjes, sipas saj, i konvenon kriza aktuale politike, pasi në këtë mënyrë shmanget vëmendja nga problemet në qeverisje.

“Përveç që nuk duan të qeverisin, atyre po u konvenon kjo krizë. Kjo krizë po ua fsheh krejt hajninë dhe matrapazllëqet që po ndodhin në institucionet shtetërore, duke krijuar armiq imagjinarë dhe duke përdorur një diskurs sikur të gjithë janë kundër tyre”, deklaroi ajo.

Kica-Xhelili tha se përballja politike duhet të fokusohet te rezultatet e qeverisjes dhe, sipas saj, te “pangopësia për pushtet” e kryeministrit në detyrë.