Rama: Nëse Qeveria i zhbllokon fondet e BERZH-it për unazën e kryeqytetit, s’do të ketë tarifa për hyrje në Prishtinë
Foto: Laura Hasani

Rama: Nëse Qeveria i zhbllokon fondet e BERZH-it për unazën e kryeqytetit, s’do të ketë tarifa për hyrje në Prishtinë

Aktuale June 03, 2026 - 11:45

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se nuk do të ketë nevojë për vendosjen e tarifave për hyrje në kryeqytet nëse Qeveria zhbllokon fondet e siguruara nga BERZH-i për ndërtimin e unazës së kryeqytetit.

Përmes një reagimi publik, Rama ka sqaruar se propozimi për tarifimin e automjeteve që nuk janë të regjistruara në Prishtinë është vetëm një ide në fazën e diskutimit publik dhe jo një vendim i marrë nga Komuna.

Sipas tij, është propozuar që tarifa të jetë 1 deri në 2 euro për automjetet që hyjnë në kryeqytet nga komunat tjera, ndërsa deri në 10 euro për kamionët e mëdhenj që qarkullojnë në qendër të qytetit.

“Fjalën e fundit e kanë qytetarët e Prishtinës, të cilët janë të lirë të japin idetë, sugjerimet dhe alternativat e tyre në debatin publik”, ka thënë Rama.

Ai ka theksuar se arsyeja e shqyrtimit të kësaj mundësie lidhet me nevojën për financimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, veçanërisht ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit, projekt që sipas tij do të ndikonte në uljen e kolonave, lehtësimin e trafikut, reduktimin e ndotjes dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.

Rama ka akuzuar Qeverinë për bllokimin e fondeve të BERZH-it, duke thënë se kjo po e detyron Komunën të shqyrtojë alternativa të tjera financimi.

Sipas tij, paketa financiare për ndërtimin e Unazës së Kryeqytetit kap vlerën e rreth 206 milionë eurove, ndërsa deri në 40 për qind e saj përbëhet nga grant, fonde që nuk do të duhej të ktheheshin nga qytetarët.

“Pra, nëse Qeveria i zhbllokon fondet e BERZH-it për ndërtimin e unazës së qytetit, nuk do të ketë tarifa për askënd”, ka deklaruar Rama.

Ai ka shtuar se tarifa e mundshme e kongjestionit nuk synon mbledhjen e të hyrave si qëllim në vetvete, por po shqyrtohet si mekanizëm alternativ për të siguruar zhvillimin e kryeqytetit në rast se fondet vazhdojnë të mbeten të bllokuara.

Kryetari i Prishtinës ka ftuar qytetarët, ekspertët, bizneset dhe organizatat e shoqërisë civile që të marrin pjesë në diskutimin publik për këtë çështje, duke theksuar se “Prishtina nuk mund të presë pafundësisht”.

Në fund, dy organizatat theksojnë se rregulloret komunale duhet të kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke garantuar trajtim të barabartë për qytetarët dhe bizneset përmes proceseve transparente dhe konsultimeve reale. /Zëri