Tarifa për veturat që hyjnë në Prishtinë, GAP-i dhe KLGI-ja kundërshtojnë rregulloren e re
Instituti GAP dhe Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) kanë shprehur shqetësim për draftin e ndryshimit dhe plotësimit të Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale të Komunës së Prishtinës, duke kërkuar tërheqjen e dispozitave që, sipas tyre, krijojnë trajtim të pabarabartë për qytetarët dhe bizneset.
Përmes një reagimi publik, dy organizatat vlerësojnë se disa nga dispozitat e draftit, i cili aktualisht ndodhet në konsultim publik, rrezikojnë të cenojnë parimet e barazisë, proporcionalitetit dhe arsyeshmërisë.
Sipas tyre, draftrregullorja parasheh vendosjen e tarifave komunale për veprimtari ekonomike pa ofruar një metodologji të qartë të llogaritjes dhe pa një analizë të ndikimit ekonomik. Po ashtu, kundërshtohet propozimi për vendosjen e një tarife prej 10 eurosh për hyrjen në territorin e Kryeqytetit për automjetet e regjistruara jashtë Prishtinës.
“Këto masa krijojnë trajtim të pabarabartë ndërmjet kategorive të ndryshme të qytetarëve dhe bizneseve dhe rrezikojnë të cenojnë parimin e mosdiskriminimit”, thuhet në reagimin e GAP dhe KLGI-ja.
Organizatat rikujtojnë se Komuna e Prishtinës është e vetmja komunë në Kosovë që përfiton grant shtesë për shkak të statusit të Kryeqytetit, duke marrë rreth 20 milionë euro në vit nga buxheti i shtetit.
Sipas tyre, kjo mbështetje financiare ka për qëllim adresimin e ngarkesës shtesë administrative dhe funksionale të kryeqytetit, si dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillim dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët.
“Politikat komunale, sidomos ato që ndikojnë drejtpërdrejt në bizneset, qytetarët dhe shërbimet, duhet të udhëhiqen nga parimi i mosdiskriminimit dhe nga një qasje gjithëpërfshirëse, e cila nuk prodhon efekte përjashtuese dhe as nuk krijon barrë të pabarabartë për kategori të caktuara”, theksohet në reagim.
GAP-i dhe KLGI-ja i kanë bërë thirrje Komunës së Prishtinës të heqë dorë nga dispozitat dhe praktikat që prodhojnë trajtim diskriminues ose përjashtues, të organizojë konsultime publike të ndara sipas grupeve dhe sektorëve të prekur, si dhe të sigurojë arsyetim të qartë dhe analizë të ndikimit për ndryshimet e propozuara.
Sipas tyre, një dokument me ndikim të gjerë në sektorë të ndryshëm ekonomikë dhe kategori të ndryshme qytetarësh nuk mund të trajtohet vetëm përmes një konsultimi të përgjithshëm formal, pa diskutime të drejtpërdrejta me grupet e interesit. /Zëri