Vuçiq: Serbët në Kosovë i pret një periudhë e vështirë edhe pas zgjedhjeve
Beogradi e ka dënuar aksionin e autoriteteve të Kosovës në objektet e hekurudhave në veri të Kosovës, duke e cilësuar atë si vazhdim të presionit ndaj komunitetit serb dhe institucioneve serbe në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi se nuk pret që Perëndimi apo Bashkimi Evropian të ndërmarrin hapa për ta lehtësuar situatën e serbëve në Kosovë.
“Serbët i pret një periudhë e vështirë edhe pas zgjedhjeve. Ne po përpiqemi të ndihmojmë aq sa mundemi në këto rrethana, edhe pse mundësitë janë të kufizuara, ndërsa zgjidhja nuk është braktisja e vatrave të tyre”, deklaroi Vuçiq.
Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe Perëndimi nuk kanë ushtruar presion ndaj Prishtinës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, gjë që, siç shprehet ai, ka ndikuar në përkeqësimin e situatës në terren.
Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe kryenegociatori në dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkoviq, i ka dënuar këto aksione, duke i vlerësuar si presion ndaj serbëve në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.