Kongresistët amerikanë në Kosovë e Preshevë, në fokus siguria dhe shqiptarët
Një delegacion i kongresistëve amerikanë, i përbërë nga Keith Self dhe Suhas Subramanyam, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës nga 26 deri më 28 maj, me kërkesë të organizatës “Albanians for America”.
Sipas njoftimit të organizatës, gjatë qëndrimit në Kosovë, kongresistët do të zhvillojnë takime me përfaqësues të institucioneve shtetërore, autoritete ndërkombëtare të sigurisë, liderë lokalë, si dhe me përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Vizita ka për qëllim forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, diskutimin e zhvillimeve të sigurisë rajonale, si dhe mbështetjen e të drejtave dhe pozitës së shqiptarëve në rajon”, thuhet në njoftimin e organizatës “Albanians for America”.
Në kuadër të agjendës së tyre në Kosovë, delegacioni do të zhvillojë takime edhe me autoritetet amerikane dhe ndërkombëtare të sigurisë në Camp Bondsteel, baza kryesore e forcave amerikane në Kosovë. Po ashtu, janë paraparë takime me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.
“Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, kongresistët do të zhvillojnë takime me institucionet shtetërore të Kosovës, autoritetet ndërkombëtare të sigurisë, liderë lokalë dhe përfaqësues të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, thuhet më tej në njoftim.
Pas vizitës në Kosovë, kongresistët amerikanë do të qëndrojnë në Luginën e Preshevës, ku do të takohen me Këshillin Kombëtar Shqiptar, përfaqësues politikë shqiptarë dhe drejtues të komunave të Preshevës dhe Bujanocit.
“Fokus i takimeve në Luginën e Preshevës do të jenë të drejtat e shqiptarëve, zhvillimet politike dhe sfidat me të cilat përballet komuniteti shqiptar në këtë pjesë të rajonit”, bëhet e ditur në komunikatë transmeton Klankosova.tv.
Vizita zhvillohet në një periudhë të angazhimit të shtuar të Kongresit amerikan për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, si dhe për avancimin e integrimit euro-atlantik të Kosovës.
Ndryshe, kongresisti Keith Self, në janar të këtij viti, kishte prezantuar në Kongresin amerikan një nismë ligjore lidhur me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Akti për vlerësimin e diskriminimit në Luginën e Preshevës synon të trajtojë qasjen e autoriteteve serbe ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Po ashtu, vetëm tri javë më parë, Self, së bashku me kongresistët Ritchie Torres dhe Mike Lawler, paraqitën një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve që mbështet integrimin e Kosovës në NATO.
Sipas njoftimit të publikuar nga zyra e kongresistit amerikan, “rezoluta nënvizon se demokracia funksionale e Kosovës, kontrolli civil mbi institucionet e sigurisë dhe karakteri multietnik i shtetit përbëjnë bazë të fortë për anëtarësim në aleancë”.
“Albanians for America” ka shprehur mirënjohje për angazhimin e vazhdueshëm të kongresistëve Keith Self dhe Suhas Subramanyam në mbështetje të çështjes shqiptare, stabilitetit rajonal dhe partneritetit ndërmjet popullit amerikan dhe shqiptar.