Raporti i QKSGj-së: Ekonomia e kujdesit në Kosovë mbetet e nënfinancuar, gratë mbajnë barrën kryesore të punës së papaguar
Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) ka mbajtur konferencën përmbyllëse të projektit “TransformCare: Analiza e të dhënave dhe investimeve për sistemet e kujdesit të përgjegjshëm gjinor në Kosovë”, ku u prezantuan të gjeturat dhe rekomandimet e studimit bazë për ekonominë e kujdesit të përgjegjshëm gjinor.
Raporti nxjerr në pah se sistemi i kujdesit në Kosovë mbetet i fragmentuar, i nënfinancuar dhe se barra kryesore e kujdesit të papaguar vazhdon të bie mbi gratë, duke ndikuar drejtpërdrejt në pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës dhe mirëqenien ekonomike.
Drejtoresha ekzekutive e QKSGJ-së, Luljeta Demolli, tha se raporti sjell indikatorë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe theksoi nevojën për reforma të thella në sektorin e kujdesit.
“Është pjesë e një projekti rajonal, po e rëndësishme është që tash e kemi një raport që do të na jep disa indikatorë të rëndësishëm për zhvillim në Kosovë. Dhe shpresoj shumë që ky raport sot edhe kjo konferencë të japë kontribut edhe t’i merr ato bashkëpunimet jo vetëm neve si organizatë, por të gjithë akterët sepse kjo është shumë me rëndësi. Çështjet e kujdesit janë shumë me rëndësi, përfshijnë shumë akterë edhe të kenë shumë partnerë në rrugën e saj. Kosova ka një infrastrukturë, por shumë të ndarë edhe jo ajo e duhura, siç pretendojmë në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian të shkojmë. Nuk është kjo, ose çështjet e kujdesit, e sidomos kur është fjala me perspektivë gjinore, nuk është i duhuri. Barra e kujdesit, përse na si organizatë jemi përfshirë në këtë projekt edhe pse e kemi bërë me shumë entuziazëm, është sepse prej misionit tonë, prej punës tonë të vazhdueshme, mendojmë vazhdimisht se si t’i lirojmë gratë edhe prej një pune të madhe që e kanë, të kujdesit në familje, edhe diku 300% janë të angazhuara në kujdes për familje, për të moshuar, për fëmijë, për menaxhim të shtëpive të tyre. Ideja ka qenë çdo herë qysh me e rekomanduar shtetin për me i liruar gratë prej kësaj barre kaq të madhe. Nuk mjafton vetëm politika ose masa afatshkurtra, për neve është tepër e rëndësishme të kemi reformë”, tha ajo.
Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi-Nushi, tha se ekonomia e kujdesit duhet parë si mundësi për investim publik dhe zhvillim ekonomik.
“Ky program është rrjedhojë e Procesit të Berlinit ku, duke ju falënderuar Mbretërisë së Bashkuar, nën titullin ‘Transforming Care” apo ekonomia e kujdesit, për të parë kujdesin si mundësi investimi publik për zhvillim ekonomik, është e parëndësishme që të na mbështesni juve, jo vetëm në Kosovë, por në Ballkanin Perëndimor, bashkë me partnerët tanë në mënyrë që të shikojmë se si edhe si rajon të shkëmbejmë informata, të punojmë në adresimin e kujdesit apo përkujdesit si mundësi e re për zhvillimin ekonomik. Tani, nga raporti keni me parë që nuk është që nuk ka iniciativa, por që nga vendet e tjera që i ka Bashkimi Evropian dhe duke parë strategjinë e Bashkimit Evropian ku synon Kosova me hy, që është strategjia për care, mendoj që është një moment i rëndësishëm të bëhet një sistem, një strukturë e cila do të ndihmojë”, tha ajo.
Koordinatori për zhvillim i OKB-së, Stephen O‘Malley, vlerësoi raportin si një dokument të rëndësishëm që e trajton kujdesin si investim strategjik për zhvillimin e kapitalit njerëzor.
“Ju e dini, unë e di që ishte vetëm gjashtë javë më parë, siç tha edhe Luljeta, një agjendë shumë e ngarkuar e ngjarjeve lidhur me këtë që u bëmë bashkë. Dhe jam vërtet i lumtur që po e mbajmë këtë ritëm. Dua të them se një nga gjërat e mira për këto afate të përshpejtuara është se ju duhet ta mbani atë në lëvizje. Unë gjithashtu, vërtet shijova leximin e anketës, studimit, javën e kaluar. Dhe unë vërtet mendoj se ekipi kërkimor ka bërë një punë të shkëlqyer në kornizimin e çështjeve, duke vënë re se ku është shënuar progres, dhe duke skicuar vendimet shumë të rëndësishme që duhet të merren, veçanërisht rreth financimit. Pa paragjykuar prezantimin, një fjali vërtet më ra në sy, ku thuhej: “Modeli aktual i ofrimit të kujdesit në Kosovë mbetet fundamentalisht i ankoruar në një paradigmë të mirëqenies sociale, ku shërbimet e kujdesit trajtohen si ndërhyrje reziduale, me synim zvogëlimin e cenueshmerisë sesa si investime strategjike në zhvillimin ekonomik dhe të kapitalit njerëzor”. Dhe për mua, kjo vërtet u ndje si një pikë kruciale. Ne duhet të mendojmë për kujdesin në të gjitha kompleksitetet e tij, se si përshtatet kjo brenda trajektores së zhvillimit të Kosovës. Për ne në ekipin e OKB-së në Kosovë, zhvillimi i kapitalit njerëzor është një nga tri prioritetet në planin e ri strategjik, që e finalizuam, me Kryeministrin, me qeverinë të premten, pikërisht sepse është një çështje aq qendrore, është një temë aq qendrore. Jo vetëm nga perspektiva ekonomike, por gjithashtu sepse të gjithë ne këtu dëshirojmë të krijojmë një shoqëri ku gjithsecili mund të arrijë potencialin e tij të plotë”, tha ai.
Hulumtuesja Lavdi Zymberi nga QKSGJ-ja shpjegoi se ekonomia e kujdesit përbëhet nga sektori formal, kujdesi i papaguar dhe politikat mbështetëse sociale.
“Po janë tri komponentë kryesorë të cilët dua t’i përmend: është sektori i kujdesit të paguar, ose ekonomia formale siç janë spitalet, qendrat rezidenciale, infermierët, domethënë personat që paguhen edhe kontribuojnë pastaj në bruto produktin vendor. Është kujdesi i papaguar, ose ekonomia joformale që është kryesisht kujdesi i cili ndodh në shtëpi nga familjarët dhe nuk paguhet. Dhe janë sistemet mbështetëse dhe politika si financimi publik, sistemet e mbrojtjes sociale dhe rregullimi i tregut të punës. Këto domethënë janë ato tri, ë, fusha ose tri komponentët kryesorë të ekonomisë së kujdesit”, tha ajo.
Sipas të dhënave të prezantuara në konferencë, gratë vazhdojnë të mbajnë barrën kryesore të punës së papaguar të kujdesit dhe punëve të shtëpisë.
“Burrat kalojnë 400% me tepër kohe se gratë në punësim, për shembull, 3.9 orë kundrejt 0.9 orë, gratë kalojnë 300% më tepër kohë se burrat në punë të shtëpisë dhe në punë kujdesi. Tek mësimi po ashtu kanë qenë dallimet mes kohës të cilën e shfrytëzojnë burrat kundrejt grave. Mesatarisht do të thotë, në përgjithësi kalojnë 4.9 orë punë kujdesi të papaguar, gratë i kalojnë 2.7 orë ose 44% më shumë se burrat. Në total do të thotë kalojnë 94 ditë në vit ose 2263 orë në vit për gratë dhe 55 ditë ose 1314 orë për burrat. Do të thotë ajo që u përmend disa herë që janë gratë të cilat ato e kanë kryesisht barrën e kujdesit dhe kryesisht të papaguar. Të dy hulumtimet vijnë në një përfundim pak a shumë që gratë kalojnë 65 deri 75% të kohës në kujdes për familjen dhe punët e shtëpisë”, prezantoi Zymberi.
Ndër gjetjet kryesore të raportit u theksua se sistemi i kujdesit në Kosovë mbetet i fragmentuar, me mungesë financimi dhe zbatim të dobët të legjislacionit ekzistues.
“Disa prej gjetjeve kryesore janë që sistemi i kujdesit është i fragmentuar, është i nënfinancuar, edhe është pjesërisht funksional. Kur them pjesërisht funksional e kam fjalën për mos-përfundimin e akteve nënligjore, do të thotë, për sa i përket për shembull ligjit për shërbime familjare dhe sociale, dhe disa ligje të tjera të cilat janë duke u finalizuar por akoma nuk janë finalizuar dhe e shkaktojnë këtë funksionimin e pjesshëm.
Pastaj kujdesi mbetet kryesisht punë e papaguar edhe mbetet kryesisht punë e cila kryhet nga gratë. Korniza ligjore ekziston, por zbatimi është i dobët. Kjo është vërejtur edhe nga analiza që kemi bërë, analiza ligjore, por edhe nga takimet konsultative që i kemi pasur nëpër komuna. Kjo është shprehur disa herë që edhe pjesëmarrësit në ato komuna kanë thënë: “Po, ka ligje, por nuk zbatohen siç duhet”.
Pastaj janë disa boshllëqe sa u përket shërbimeve. Te kujdesi për fëmijë, shërbimet janë shumë nën standardet evropiane. Te kujdesi afatgjatë dhe për të moshuarit, kujdesi është shumë i kufizuar. Ka mungesë të dhënash për sektorin e kujdesit afatgjatë.
Sa i përket dimensionit gjinor, përmendëm që gratë kryejnë diku 65 deri 75% të punës së papaguar të kujdesit, dhe kjo ka dy pasoja kryesore. Një është pjesëmarrja e ulët në tregun e punës, sepse gratë të cilat janë të detyruara të kryejnë punë të kujdesit në shtëpi, e kanë të pamundur të gjejnë ndonjë punë tjetër. Dhe pastaj, edhe shkarkohet varfëri ekonomike edhe mungesë kohe për ato gra”, tha ajo.
Agon Dobruna, zëvendësministër në detyrë në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, tha se sa i përket grantit për çështje të kujdesit në plan-programin e ardhshëm qeverisës janë paraparë investime në strehimore, banim të përballueshëm dhe banim social për familjet dhe çiftet e reja në nevojë.
“Fillimisht mendoj që është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi dhe inputet nga shoqëria civile, nga organizatat joqeveritare, sepse e shohin me një perspektivë tjetër, e cila është më objektive dhe në këtë rast është shumë produktive edhe për ne edhe për qytetarin që e prekin ato politik- ato politika dhe ligje. Ndërsa për çështjen e investimeve, ne vetëm e kemi në plan-program, në zotimet tona të ardhshme, pasi që jemi në kohë fushatë tani dhe ndoshta nuk është edhe mirë ta potencoj. Mirëpo, e kemi në zotimet tona për katërvjeçarin e ardhshëm. Para disa dite kemi pranuar si ministri një strehimore të re në veri të Mitrovicës, në pjesën veriore të vendit, që është ndërtuar me standarde dhe do të vazhdojmë gjithandej qendrave kryesore për krijimin e strehimoreve, për arsye se është kosto. Njëherit, do të vazhdojmë edhe me banimin e përballueshëm, sepse konsiderojmë që banimi i përballueshëm është shumë i rëndësishëm për çiftet e reja, të cilët dëshirojnë të krijojnë familje dhe aspekti financiar të mos jetë pengesë për aspiratat e tyre që të krijojnë bashkë një familje dhe të vazhdojnë tutje. Kështu që, për këtë është banimi i përballueshëm, të cilin e kemi filluar dhe jemi në fazë shumë të mirë. Gjithashtu edhe banimi social, i cili është duke vazhduar për të gjitha familjet që kanë nevojë dhe janë pa strehim. Banimi rasti social domethënë, i cili kryesisht lidhet edhe me departamentin që është drejtori këtu prezent, ndërsa banimi i përballueshëm është në bashkëpunim me Ministrinë e Ambientit”, tha ai. /EO