Sindikata e Policisë kërkon pensionim të parakohshëm nga mosha 55-vjeçare
Foto: Laura Hasani

Sindikata e Policisë kërkon pensionim të parakohshëm nga mosha 55-vjeçare

Aktuale May 21, 2026 - 11:14

Sindikata e Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se njëra nga kërkesat kryesore të saj mbetet miratimi i Ligjit për pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve policorë nga mosha 55-vjeçare.

Sipas Sindikatës, ky ligj duhet të jetë i ngjashëm me atë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke kërkuar që pensioni të nisë me 60 për qind të pagës bruto dhe për çdo vit përvojë pune të rritet për 2 për qind, por pa e kaluar 80 për qind të pagës bruto.

Po ashtu, Sindikata ka kërkuar që gjatë përllogaritjes së pensionit të merret parasysh paga më e lartë që zyrtari policor ka pasur gjatë shërbimit në Policinë e Kosovës.

Një tjetër kërkesë është që një vit para pensionimit, zyrtarit policor t’i ngrihen dy grada më lart, si vlerësim për kontributin dhe punën e bërë ndër vite.

Sindikata ka theksuar gjithashtu se pensioni duhet të mbetet i pandryshueshëm edhe pas moshës 65-vjeçare.

“Këto janë disa nga kërkesat fillestare të Sindikatës lidhur me draftimin e ligjit nga komisioni i formuar nga Ministri, ndërsa do të ketë edhe kërkesa të tjera shtesë”, thuhet në reagim.

Tutje, Sindikata paralajmëroi se nuk do të pranojë një projektligj që, sipas tyre, nuk i përshtatet interesave të zyrtarëve policorë.