Gërvalla për fjalët e Gecit për burgim të përjetshëm ndaj Thaçit: E respektoj atë që thotë Fatosi

Gërvalla për fjalët e Gecit për burgim të përjetshëm ndaj Thaçit: E respektoj atë që thotë Fatosi

Aktuale May 20, 2026 - 22:59

Ministrja në detyrë e drejtësisë dhe bashkëkryetarja e partisë “Guxo”, Donika Gërvalla e cila së bashku me Vetëvendosjen janë me një listë zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit, në emisionin “Këndi i Debatit”, në Tëvë1, ka folur për deklaratat e kandidatit për deputet nga po e njëjta listë.

Fatos Geci në Kuvend kishte thënë se “fatin e Naim Musrselit do ta ketë edhe Hashim Thaçi”, duke aluduar në burgim të përjetshëm. Ndonëse, as Prokuroria e Hagës nuk e ka kërkuar një gjë të tillë, e që është organi i akuzës dhe se ligjërisht më shumë se që kërkon prokuroria, Gjykata nuk mund ta dënoj askënd, Gërvalla, pra, ministre në detyrë e drejtësisë, tha se e repsekton deklaratën e tij.

“Fatosi, në përgjithësi familja Geci nga Llausha, ka një histori të dhimbshme të pasluftës dhe gjatë luftës. Edhe unë pa dashur të bëjë avokatin, e as gjykatësin e Fatos Gecit, unë e respektoj atë çfarë thotë Fatosi, sepse e respektoj përvojën dhe biografinë e familjes së tij. Mendoj që ajo pjesë e historisë sonë më të re është pjesë e historisë së Republikës së Kosovës, pjesë e një sakrifice të jashtëzakonshme që kanë bërë disa familje të mëdha në Kosovë. Kështu që Fatos Geci është njëri nga zërat e ndryshëm në këtë listë”, ka thënë Gërvalla.

“Distancimet” brenda VV-së:

Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, ditën kur u tha deklarata skandaloze, doli në foltore dhe tha se për Vetëvendosjen, lufta e UÇK-së ishte e shenjtë. Pra, tentoi të distancohet.

Të pakët ishin atë deputetë që reaguan e u distancuan publikisht ndaj kësaj deklarate.

I pari ishte Hysen Durmishi. Ky i fundit tha se ndihet i turpërurar nga ajo deklaratë.

“Unë ndihem i turpëruar nga deklarata e deputetit Geci! Lufta jonë ishte e pastër dhe çlirimtare! UÇK është vlera më e lartë e kombit tonë!”, ka shkruar ai.

Një reagim e distancim publik e pati edhe deputeti tjetër, Enver Dugolli.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një nga vlerat më sublime të historisë sonë. Askush nuk ka as të drejtë dhe as bazë të vërë dyshime apo njolla mbi të. Shpresoj që asnjë pjesëtar i kësaj ushtrie të mos dënohet apo gjykohet në procese gjyqësore, e sidomos në një proces si ai i Gjykatës Speciale, e cila nuk i ka ndjekur e aq më pak dënuar krimet gjenocidale të Serbisë. Çfarëdo thirrje apo kërkese, nga kushdo qoftë, për dënimin e ndonjë pjesëtari të UÇK-së në këtë gjykatë, është e papranueshme, e panevojshme dhe e dëmshme”, ka shkruar Dugolli.

Kurse, deputetët e VV-së si Arbëreshë Kryeziu-Hyseni e Alban Bajrami që ishin në T7, vetëm thanë se mbështesin qëndrimin e Arbërie Nagavcit të cilin e tha në seancë.

Të tjerët? Çele guri gojën. Madje, as deputetja Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit, që bashkë me Hashim Thaçin po gjykohet tash e gati 6 vjet në Gjykatën Speciale të Hagës./Nacionale