MASH-i hap konkurset për mbështetje financiare në fushën e shkencës
Foto: Laura Hasani

MASH-i hap konkurset për mbështetje financiare në fushën e shkencës

Aktuale May 14, 2026 - 20:16

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se ka hapur konkurset për mbështetje financiare në fushën e shkencës për vitin 2026, të dedikuara për studiuesit, hulumtuesit dhe komunitetin akademik në Kosovë.

Sipas njoftimit, konkursi për projekte të vogla shkencore do të jetë i hapur nga 14 maji deri më 4 qershor 2026, në ora 16:00.

Po ashtu, nga 14 maji deri më 4 qershor 2026 do të jetë i hapur edhe konkursi për financimin e botimeve dhe publikimeve shkencore.

Ndërkaq, konkursi për financimin e botimeve dhe publikimeve shkencore në revista me faktor ndikimi do të qëndrojë i hapur nga 14 qershori deri më 30 shtator 2026.

MASh ka bërë të ditur se edhe konkursi për ndarjen e granteve të mobilitetit afatshkurtër të shkencëtarëve do të jetë i hapur nga 14 maji deri më 30 shtator 2026, në ora 16:00.

Ministria ka inkurajuar studiuesit dhe institucionet e arsimit të lartë që të aplikojnë në këto thirrje, me synim avancimin e kërkimit shkencor, mbështetjen e publikimeve akademike dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e shkencës.

Për detaje shtesë mbi kriteret dhe mënyrën e aplikimit, MASh ka ftuar të interesuarit të konsultojnë linqet zyrtare të publikuara nga ministria.