Shoqata e Prokurorëve dënon kërcënimin ndaj prokurorit Muharrem Prekazi
Foto: Laura Hasani

Shoqata e Prokurorëve dënon kërcënimin ndaj prokurorit Muharrem Prekazi

Aktuale May 14, 2026 - 18:58

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë dhe ka dënuar ashpër kërcënimin ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Muharrem Prekazi, gjatë ushtrimit të detyrës së tij zyrtare në një seancë gjyqësore.

Në reagim, Shoqata thekson se çdo formë kërcënimi, presioni apo intimidimi ndaj prokurorëve për shkak të ushtrimit të funksionit të tyre përbën cenim serioz të pavarësisë së sistemit prokurorial dhe sulm të drejtpërdrejtë ndaj sundimit të ligjit.

‘Shoqata e Prokurorëve të Kosovës konsideron se siguria dhe integriteti i prokurorëve janë elemente esenciale për funksionimin e pavarur dhe efikas të sistemit të drejtësisë, andaj raste të tilla duhet të trajtohen me prioritet dhe seriozitet të plotë nga institucionet kompetente’, thuhet në reagim.

Shoqata ka shprehur gjithashtu mbështetje të plotë profesionale dhe institucionale për prokurorin Muharrem Prekazi dhe për të gjithë prokurorët e Kosovës, duke vlerësuar angazhimin e tyre në ushtrimin e detyrës me profesionalizëm dhe integritet, pavarësisht presioneve dhe sfidave.

Në fund të reagimit, Shoqata ritheksoi se do të vazhdojë të reagojë ndaj çdo veprimi që cenon pavarësinë, sigurinë dhe integritetin e prokurorëve në ushtrimin e funksionit të tyre kushtetues dhe ligjor.