Bogujevci: Rindërtimi i Xhamisë së Ibrit, hap i rëndësishëm
Ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, në konferencën për medie pas mbledhjes së Qeverisë, për vendimin për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit, tha se ky vendim hap rrugë për hartimin dhe zbatimin e projektit për rindërtimin e xhamisë së djegur gjatë luftës në Kosovë.
“Me një vendim shumë të rëndësishëm që kemi marrë tani në mbledhje të qeverisë, që ka të bëjë me rikonstruimin e Xhamisë së Ibrit, e cila ishte djegur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky vendim sot hap rrugë për hartimin dhe më pas zbatimin e këtij projekti. Dua të sqaroj që kjo nuk është një ndërtim i një xhamie, ka të bëjë me rindërtimin e një xhamie e cila është djegur, ku qëllimi ka qenë nga regjimi gjenocidal i Serbisë që me të gjitha format e tyre të zhdukin gjithçka që na takon ne, jo vetëm duke i targetuar qytetarët, duke i vrarë, duke i maltretuar, por çdo pjesë të trashëgimisë domethënë që e kemi, ta shkatërrojnë. Dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm dhe jam e lumtur që është marrë ky vendim dhe do të vazhdojmë për rindërtimin e xhamisë së djegur domethënë të Ibrit në Mitrovicën e Veriut”, theksoi Bogujevci.
Po ashtu tregoi për vizitat dhe projektet e fundit të trashëgimisë kulturore, përfshirë restaurimin e Kishës Katolike “Engjëlli i Rojës” në Ferizaj.
“Gjithashtu këto ditë kemi pasur disa vizita të rëndësishme. Sot ishim në Ferizaj, ku bashkë me kryeministrin vizituam dy projekte tepër të rëndësishme, edhe këto pjesë të trashëgimisë tonë. Njëra ndër to, e cila është tani në fazën e dytë dhe në përfundim, është restaurimi i tërësishëm i kompleksit të Kishës Katolike në Ferizaj, Engjëlli i Rojës. Dhe më bën të lumtur të shoh që është në përfundim. Ka qenë një investim rreth 1,776,000 euro, domethënë një investim i rëndësishëm dhe i madh. Edhe kjo kishë katolike nuk është vetëm një objekt fetar, por një vend ku ka një histori të gjerë, ku ka trajtuar faktikisht nxënësit tanë gjatë helmimeve, por në të njëjtën kohë ka qenë edhe vend ku gjatë luftës janë strehuar edhe refugjatët. Kisha shënon 100-vjetorin e ekzistencës së saj, kështu që është një investim i rëndësishëm”, pohoi ajo. /rtk