OVL UÇK: Ta quash një gjeneral të UÇK-së ‘njeri i Serbisë’, e papranueshme dhe politikisht helmuese
OVL e UÇK-së ka reaguar përmes një njoftimi për media duke e dënuar ashpër gjuhën që Sami Lushtaku thotë se është përdorur kundër tij nga zyrtari i LVV-së, Hysni Mehani.Sipas Lushtakut, Mehani e ka quajtur “Sami Serbia”, gjuhë ndaj të cilës thotë se kanë reaguar pastaj qytetarët.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dënon ashpër gjuhën fyese të përdorur ndaj ish-ushtarëve dhe komandantëve të luftës çlirimtare”, thuhet në komunikatë.
OVL e UÇK-së thotë se ta cilësosh një gjeneral të UÇ-’së si “njeri i Serbisë” është e papranueshëm dhe politikisht helmuese.
“Të quash një gjeneral të UÇK-së “njeri i Serbisë”, ata që u rreshtuan për lirinë e Kosovës, është e ulët, e papranueshme dhe politikisht helmuese. Asnjë interes partiak, asnjë mëri personale dhe asnjë rivalitet mes politikanëve nuk i jep askujt të drejtën të njollosë luftën çlirimtare apo të çnderojë burrat që derdhën gjakun për këtë shtet”, potencon OVL UÇK-ja.
“Ajo që po shohim tani, një fushatë përshkallëzuese fyerjesh, etiketimesh dhe urrejtjeje e drejtuar ndaj veteranëve të UÇK-së dhe komandantëve të tyre, nuk është debat demokratik. Është degradim moral. Dëmtohet jeta publike, thellohen ndasitë dhe sulmohet vetë themeli mbi të cilin u farkëtuan liria dhe sovraniteti i Kosovës. Kërkojmë që çdo subjekt politik dhe mbështetësit e tyre të distancohen qartë dhe menjëherë nga një gjuhë e tillë. Mospajtimet politike nuk mund të kthehen në sulm ndaj luftës çlirimtare. Kushdo që e shkel këtë kufi, do të përballet me përgjigjen tonë të vendosur, publike dhe të pakompromis”, përfundon njoftimi.