Kryeministri në detyrë i Kosovës u prit në parlamentin e Nordrhein-Westfalen
Foto: ZKM

Kryeministri në detyrë i Kosovës u prit në parlamentin e Nordrhein-Westfalen

Aktuale May 11, 2026 - 22:00

Në kuadër të vizitës në Gjermani, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mirëpritur nga përfaqësues të parlamentit të Nordrhein-Westfalen.

Në njoftimin nga zyra e kryeministrit, ai fillimisht u prit nga zëdhënësi i Komitetit Kryesor nga SPD, Hartmut Ganzke, dhe kreu i Komitetit për Evropë dhe Çështje Ndërkombëtare, Stefan Engstfeld, dhe më pas nga shefi i Grupit Parlamentar të SPD, Jochen Ott.

Krahas falënderimeve për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës, Kurti foli për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e diplomacisë parlamentare.

Në takime, u diskutua për mërgatën si urë lidhëse për bashkëpunimin ekonomik e tregtar, e po ashtu për infrastrukturën dhe mobilitetin, përkatësisht rëndësinë e aeroporteve regjionale.

Ndërsa arsimi, me theks të veçantë mundësitë për programe të bursave dhe të shkëmbimeve, ishin po ashtu tema të takimit.

Kurti foli edhe për mundësitë e bashkëpunimit në sektorin e energjisë, marrë parasysh se Nordrhein-Westfalen është regjioni kryesor energjetik dhe industrial në Gjermani.

Ai, po ashtu, u shkrua në Librin e Artë të Parlamentit të Nordrhein-Westfalen, i paraparë për nënshkrime nga mysafirët që vizitojnë këtë institucion.