Spitali i Korçës pezullon mjekun që dyshohet se ngacmoi seksualisht 21-vjeçaren
Spitali i Korçës ka pezulluar nga detyra mjekun Nikolla Nunka, i cili u arrestua mëngjesin e së hënës pas akuzave për ngacmim seksual nga një paciente.
Në një deklaratë për mediat, spitali thotë se po bashkëpunon me organet ligjzbatuese për ndjekjen e të gjitha procedurave të nevojshme.
“Duke e konsideruar këtë një çështje tejet sensitive dhe serioze, Spitali Rajonal Korçë shpreh qëndrimin e prerë se çdo pretendim apo sjellje që cenon dinjitetin, integritetin dhe sigurinë e pacientëve është e papranueshme dhe duhet të trajtohet me përgjegjësi të plotë institucionale dhe ligjore.
Institucioni ka nisur menjëherë verifikimet administrative të brendshme, ndërkohë që do të ndiqet me korrektësi çdo procedurë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rezultatet e hetimeve të organeve kompetente. Për këtë shkak deri në një vendim nga organet kompetente, ka bëre pezullimin e mjekut nga funksionet e tij”, thuhet në reagim.
“Në respekt të procesit hetimor dhe për të garantuar integritetin e tij, Spitali Rajonal Korçë nuk mund të japë në këtë fazë detaje të mëtejshme mbi rastin. Mbrojtja e pacientit, etika profesionale dhe standardet e ofrimit të kujdesit shëndetësor mbeten prioritete të panegociueshme për institucionet tona”.
Një 21-vjeçare ka bërë kallëzim për ngacmim seksual ndaj mjekut Nunka. Sipas informacioneve, 21-vjeçarja ishte dërguar në urgjencë për shkak të dhimbjeve të barkut e të vjellave ndërsa pas kontrolleve mjekësore, është vendosur që të kryejë ndërhyrje për apendicitit.
Sipas kallëzimit të vajzës, thuhet se mjeku 72-vjeçar, si kirurgu i saj, e ka ngacmuar seksualisht duke e prekur në pjesë intime me pretendimin e kontrollit mjekësor.
21-vjeçarja ndodhet e shtruar në spitalin e Korçës, ndërsa i është marrë kallëzimi nga policia e Korçës, ku më pas është bërë shoqërimi dhe arrestimi i mjekut.
Nunka ka qenë më parë i arrestuar nga policia e Korçës për mitmarrje ndërsa burime nga grupi i hetimit bëjnë me dije se çështja ndodhet ende në fazën paraprake të hetimit dhe doktori është marrë nga spitali i Korçës ku ka qenë në punë, shoqëruar me forca të policisë, dhe çuar menjëherë në komisariatin e Korçës për t’u marrë në pyetje.
Në denoncimin e saj, 21-vjeçarja e cila jeton në Gjermani dhe kishte ardhur së fundmi në Korçë dhe ishte nënshtruar operacionit të apendicitit, ka bërë me dije se doktori për dy – tre raste ka tentuar ta puthë atë dhe me pas ta prekë në vendet intime.
E reja ka shtuar se nuk ka mundur të ketë prova filmike pasi doktori përherë kur hynte në dhomën e mjekimit i kërkonte të hiqte telefonin.
Pritet të vendoset nga prokuroria e Korçës në rast se Nunka do të jetë në paraburgim deri në masën e sigurisë apo do të ndiqet në gjendje të lirë, raporton A2CNN.