Tre kongresistë amerikanë paraqesin rezolutë për anëtarësimin e Kosovës në NATO
Foto: Laura Hasani

Tre kongresistë amerikanë paraqesin rezolutë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Aktuale April 30, 2026 - 21:17

Kongresmeni amerikan, Keith Self, së bashku me dy të tjerë, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për të shprehur mbështetje të fortë për integrimin e Kosovës në NATO.

Në rezolutë përmenden disa prej arsyeve që Kosova meriton anëtarësimin në NATO.

“Për më tepër, ndërsa forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, shtimi i Kosovës në aleancën e NATO do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për t’i dekurajuar përpjekje të tilla armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”, thuhet në rezolutë.

Katër shtete anëtare të NATO-s , Greqia, Rumania, Sllovakia e Spanja, ende nuk e kanë njohur Kosovën shtet.

Rezoluta bën thirrje këtyre katër aleatëve t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre, duke theksuar se njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për ta zhbllokuar rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe për të mbyllur një boshllëk strategjik në Evropën Juglindore që kundërshtarët kërkojnë ta shfrytëzojnë.

“Kosova ka demonstruar një përkushtim të qartë ndaj stabilitetit rajonal dhe përafrimit strategjik me vendet e NATO, por progresi i saj drejt anëtarësimit në aleancë po pengohet nga mungesa e njohjes nga një numër i vogël aleatësh,”, ka thënë kongresisti Self.

Ai ka shtuar se shtimi i Kosovës në aleancë është thelbësor për ta kundërshtuar ndikimin në rritje të kundërshtarëve në Evropë.

“Shtetet e Bashkuara duhet t’i inkurajojnë Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të sigurojnë që Kosova të ketë një rrugë të besueshme dhe të arritshme drejt anëtarësimit”, ka thënë ai.

Në rezolutë thuhet se shtimi i Kosovës në aleancën e NATO është thelbësor për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare të Shtetet e Bashkuara në Evropën Juglindore. /klankosova.