Abdixhiku në Mejë: Kujtesë për masakrën dhe thirrje për drejtësi
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë homazhe në Mejë, në përvjetorin e një prej masakrave më të rënda të luftës në Kosovë.
Gjatë vizitës, Abdixhiku u takua me familjarët e viktimave dhe nderoi kujtimin e 376 civilëve shqiptarë që u vranë 27 vite më parë nga forcat policore dhe ushtarake të Serbisë.
Viktimat, mes tyre edhe fëmijë, ishin ndarë me forcë nga familjet e tyre dhe më pas ishin ekzekutuar.
Abdixhiku theksoi se dhimbja e familjeve mbetet e pashuar edhe pas gati tri dekadash, duke nënvizuar se “koha nuk mbyll gjithçka”.
Ai shtoi se kjo ngjarje mbetet një kujtesë e rëndë për përgjegjësinë historike dhe nevojën për drejtësi.
“Liria e Kosovës është e shtrenjtë dhe kërkon përgjegjësi. Kosova duhet të kërkojë drejtësi për njerëzit e saj dhe të ruajë një histori që nuk guxon të harrohet”, u shpreh ai, duke shprehur gjithashtu ngushëllime për familjet e viktimave.
Masakra e Mejës mbetet një nga plagët më të thella të luftës në Kosovë dhe vazhdon të jetë simbol i kërkesës për drejtësi ndërkombëtare dhe zbardhje të plotë të krimeve të luftës.