“Telefoni është privatësi”, avokati Milkoviq reagon ndaj vendimit për dënim ndaj Gjukanoviqit
Foto: Laura Hasani

“Telefoni është privatësi”, avokati Milkoviq reagon ndaj vendimit për dënim ndaj Gjukanoviqit

Aktuale April 27, 2026 - 14:38

Avokati i të dënuarës për rastin e spiunazhit, Jelena Gjukanoviq, Predrag Milkoviq, ka paralajmëruar ankesë ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke kundërshtuar përdorimin e provave të siguruara nga telefoni pa urdhër gjyqësor.

Ai tha se vendimi për pranimin e kontrollit të telefonit si provë ligjore cenon të drejtat kushtetuese për privatësi dhe se mbrojtja do ta ndjekë çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese.

“Vendosi se kontrolli i telefonave mund të përdoret si provë ligjore edhe pse nuk pati urdhër të gjykatës për kontrollimin e telefonit. Ne do të ankohemi kundër këtij vendimi dhe do të luftojmë deri në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk do të dorëzohemi në këtë luftë. Bëhet fjalë për të drejtat e privatësisë që garantohen me Kushtetutë për çdo qytetar. Telefoni sot është mjeti më i çmueshëm dhe më i vlefshëm i privatësisë sonë kryesore. Paramendojeni sikur dikush sot t’ua marrë juve telefonin, a do t’ju vinte mirë që ai të kontrollohet pa urdhër të gjykatës. Pikërisht kjo ndodhi këtu. Nga ana tjetër, vlerësoj se edhe faktet tjera nuk japin asnjë dyshim kualitativ se ajo kreu atë vepër penale për të cilën akuzohet. Siç keni dëgjuar, kishte shumë pak gjykime, vetëm dy seanca dhe në të parën analizuam ato dëshmi dhe për to do të flasim më shumë në detaje në ankesë se çfarë mendojmë për to, sepse nuk dua të zgjatem këtu më tepër. Për fund, do të ankohemi dhe e di se ky aktgjykim nuk do të mbijetojë”, tha ai. /eo