Murat Jashari për president? Peticioni mbledh mbi 1200 nënshkrime
Një peticion qytetar ka nisur për të kërkuar përfshirjen e Murat Jasharit në garën për president të Kosovës, në një kohë kur vendi po përballet me mungesë konsensusi politik për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Deri më tani 1,263 nënshkrime të verifikuara.
Nisma, e publikuar online, po vazhdon të tërheqë mbështetje nga qytetarë që kërkojnë që emri i Jasharit të merret në konsideratë në procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit.Sipas nismëtarëve, kjo iniciativë synon të nxisë një proces që reflekton vlerat shtetformuese dhe sakrificën mbi të cilën është ndërtuar liria e Kosovës, duke e konsideruar institucionin e presidencës si simbol të unitetit dhe vazhdimësisë shtetërore.
Peticioni është publikuar online dhe qytetarët po ftohen të japin mbështetjen e tyre përmes nënshkrimeve.
Organizatorët kanë bërë të ditur se çdo nënshkrim duhet të konfirmohet përmes një linku që dërgohet në email, në mënyrë që të konsiderohet i vlefshëm.
Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit të ri, pas përfundimit të mandatit të presidentes Vjosa Osmani më 4 prill.
