Sa funksionon ndalimi i rrjeteve sociale nën moshën 15 vjeç?
Rrjetet sociale kanë zënë një vend të rëndësishëm në jetën e përditshme.
Për të mbrojtur fëmijët, shumë vende kanë shtrënguar masat.
Shtete si Danimarka, Greqia e Indonezia kanë marrë vendim që t’ua ndalojnë përdorimin e tyre fëmijëve nën moshën 16 vjeç.
Një Ligj i tillë shpeshherë është kërkuar të bëhet edhe në Kosovë.
Ky vendim besohet se do ruante fëmijët nga shumë dukuri negative.
“Kjo do i privonte apo kursente nga ngacmimet e ndryshme, pastaj bullizimet, shpërfaqet e dhunës qoftë asaj psikologjike e më pas që po shfaqet edhe dhuna e ndryshme fizike, deri tek ngjarjet të cilat në disa raste po përfundojnë edhe me fatalitet”, thotë sociologu Genc Xërxa.
Mirëpo, para së gjithash, vlerësohet se duhet të rritet vetëdijësimi për përdorim të sigurt dhe të duhur.
“Ajo se çfarë unë e shoh të rëndësishme përtej një ndalimi të imponuar ligjor të përdorimit të tyre është rritja e vetëdijesimit për përdorim të duhur nga ana e fëmijëve, kjo si përgjegjësi e prindërve dhe institucioneve shkollore për të na garantuar një mirëqenie gjatë interaksioneve virtuale që të rinjtë të rejat i kanë gjithherë në rritje gjatë kësaj kohe”, tha njohësi i arsimit, Rinor Qehaja.
Se është e udhës të implementohet ky Ligj në vend, e thonë edhe njohës të kibernetikës.
“Unë besoj që edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, duhet t’i ndjekë këto iniciativa jo vetëm këtë, por edhe iniciativa të tjera…duhet të kemi rregulla të cilat ndalojnë dhe marrin masa të caktuara për çdo përmbajtje e cila mundet me paraqit rrezik”, thotë njohësi i kibernetikës, Mentor Hoxhaj.
Nga Agjencia për Informim dhe Privatësi bëjnë të ditur se një nismë e tillë është nën kompetencat e Qeverisë.
“Këto politika publike janë kompetencë e Qeverisë që përmes ligjeve të caktuara të ndaloj përdorimin e tyre. Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale parasheh që personat nën moshën 16 vjeçe e që kyçën në internet dhe japin të dhënat personale, kanë për obligim që të merret pëlqimi i prindërve”, thotë Arbian Arifi nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.
Së fundmi, Turqia ka ndaluar mediat sociale për fëmijë nën 15 vjeç, derisa një vendim të tillë ka paralajmëruar se do ta marrë edhe Norvegjia.