Projektligji për Energjinë po shqyrtohet në seancën e jashtëzakonshme
Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar projektligjin për Energji. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë prezantimit të këtij projektligji ka thënë se “përveç garantimit të furnizimit, synohet edhe përballueshmëria e çmimeve përmes masave rregullative në periudhën transitore deri në liberalizimin e plotë të tregut".
"Pra mirëqenia e qytetarit mbrohet me përballueshmëri të çmimeve dhe siguri të furnizimit. Modernizimi i rrjetit dhe zhvillimi i sistemit energjik përbëjnë një pjesë kyçe të këtij projektligji”, tha ajo.
Ferat Shala nga PDK tha se nuk e kuptojnë qasjen e përshpejtuar për votim dhe pa debat me shoqërinë civile e me akterët relevantë. Ai tha se ekzistojnë disa nene ku ky ligj bie në kundërshtim me rregullat e Komitetit të Energjisë së BE-së.
“Ne nuk mund ta mbështesim një ligj të tillë, kaq absurd e që bie ndesh me çdo parim të ekonomisë së tregut e me çdo parim të sektorit energjetik evropian”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës paraprakisht dështoi të shmang afatet procedurale për projektligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit dhe projektligjin për Energjinë Elektrike. Partitë opozitare kanë votuar kundër propozimit të LVV-së për shmangien e afateve procedurale për këto dy projektligje./rtk