Avokati Koci: Familjes Bunjaku asnjë vendim nuk ia kthen Afrimin
Avokati i familjes Bunjaku, Arianit Koci, është deklaruar pas shpalljes së aktgjykimit për rastin “Banjska”.
Ai tha para drejtësisë duhet të dalin edhe organizatorët e sulmit, duke shtuar se pa iu dorëzuar drejtësisë së Kosovës, të njëjtit do të jenë barrë për Serbinë.
“Familja e Afrim Bunjakut edhe e ka parashikuar. Duhet të vihen para drejtësisë edhe organizatorët e këtij sulmi terrorist.
“Të dyshuarit do të jenë barrë për Serbinë, ata kurrë nuk do të hyjnë në BE pa i dorëzuar drejtësisë së Kosovës. Familjes së Afrim Bunjakut asnjë vendim nuk ia kthen Afrimin, por sidoqoftë kjo është një satisfaksion.
“Unë do ta shikoj arsyetimin e gjykatës dhe pastaj do të vendos nëse do të apeloj apo jo. Jam i kënaqur me vendimin për dy të parët, për të tretin jam në fazën kur do ta analizoj këtë vendim të gjykatës”, tha Koci, transmeton Klankosova.tv
Pas 2 vjetësh e 7 muajsh nga sulmi, Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq janë dënuar me burgim të përjetshëm, kurse Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet.
Nga sulmi terrorist i shtatorit të vitit 2023, mbeti i vrarë rreshteri policor 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi. /klankosova