OKB-ja në Kosovë përshëndet aktgjykimin për vrasjen e Liridona Ademajt
Foto: Laura Hasani

OKB-ja në Kosovë përshëndet aktgjykimin për vrasjen e Liridona Ademajt

Aktuale April 21, 2026 - 17:52

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar të martën me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.

Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka përshëndetur aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në reagimin zyrtar, OKB thekson se vendimi sjell drejtësi për një rast që kishte tronditur thellë opinionin publik në Kosovë dhe dërgon një mesazh të qartë se femicidi dhe dhuna ndaj grave nuk do të mbeten pa përgjigje ligjore.

“Ne qëndrojmë pranë fëmijëve të saj, familjes dhe të gjithë të prekurve, dhe ritheksojmë nevojën për veprim më të fuqishëm dhe të qëndrueshëm për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave,” thuhet në deklaratë.

Po ashtu, OKB në Kosovë ka riafirmuar angazhimin për të mbështetur institucionet vendore në forcimin e mekanizmave të parandalimit, mbrojtjes dhe qasjes në drejtësi, si dhe në koordinimin e përpjekjeve për t’i dhënë fund dhunës me bazë gjinore.

Deklarata është bërë nga Koordinatori i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Stephen O’Malley, në emër të Ekipit të OKB-së në Kosovë.

Rreth 60 gra janë vrarë në Kosovë që nga viti 2010 - në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Më 12 prill 2024, Erona Cokli, 21-vjeçare, u vra nga bashkëshorti i saj në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Katër ditë më vonë, më 16 prill, po nga bashkëshorti u vra edhe 43-vjeçarja Gjyljeta Ukella, në Pejë.

Më 21 janar 2026 një grua tjetër u vra – dorasi i krimit në Dragash dyshohet të jetë i biri i saj.