Krasniqi: Qëllimi i Kurtit s’ishte zgjidhja për presidentin
Foto: Laura Hasani

Krasniqi: Qëllimi i Kurtit s’ishte zgjidhja për presidentin

Aktuale April 20, 2026 - 15:12

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka komentuar zhvillimet e fundit sa i përket çështjes së presidentit, pas takimit pa rezultat mes kryetarit të LVV-së Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Krasniqi në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook ka shkruar se qëllimi i Kurtit nuk ka qenë gjetja e një zgjidhjeje për çështjen e presidentit.

“Ai tashmë e kontrollon këtë post dhe synimi i tij është ta mbajë sa më gjatë, përmes prodhimit të krizave politike dhe zvarritjes së proceseve. Që nga shpallja e aktgjykimit të Kushtetueses, strategjia ka qenë të amortizohet efekti politik që një afrim i Osmanit me LDK-në mund të sillte”, shkroi Krasniqi.

Ai shtoi se rrjedhja e votave synohej të ndalej përmes “negociatave” të fokusuara vetëm me LDK-në.

“Duke rënë në këtë kurth politik, LDK-ja jo vetëm që i mundësoi Kurtit të blejë kohë, por edhe të zbehte efektin politik që Osmani mund të prodhonte”, u shpreh Krasniqi.