Ambasadorja holandeze viziton Qendrën Korrektuese në Lipjan
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka pritur sot ambasadoren e Holandës, Karin Boven, si dhe dy profesorë nga ky shtet.
Profesorët paraqitën përvojat e tyre në kaudër të projekteve të realizuara në ShKK, dhe shprehën gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin.
“Në Qendrën Edukuese Korrektuese në Lipjan, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, së bashku me U.D. Drejtorin e Qendrës Edukuese Korrektuese në Lipjan, Fitim Berbatovci, kanë pritur në vizitë Ambasadoren e Holandës në Kosovë, Karin Boven dhe dy profesorë nga Holanda të angazhuar në projekte për trajtimin dhe rehabilitimin e të miturve”, thuhet në njoftimin e ShKK-së.
“Gjatë takimit u diskutua për trajtimin e të miturve, përmirësimin e programeve rehabilituese dhe ngritjen profesionale të stafit. U theksua rëndësia e shkëmbimit të përvojave dhe aplikimit të praktikave më të mira ndërkombëtare në këtë fushë”.
“Profesorët prezantuan përvojat e tyre në kuadër të projekteve të realizuara, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në avancimin e qasjes rehabilituese ndaj të miturve në Kosovë. Ata gjithashtu shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e aktiviteteve të reja me stafin korrektues”.
“Delegacioni vizitoi nga afër hapësirat e qendrës, kabinetet e aktiviteteve dhe të punës, ku u njoh me kushtet, programet dhe punën që bëhet me të miturit në funksion të risocializimit të tyre”.