A do të ketë efekt rikthimi i mundshëm i Osmanit në LDK?
Analistët politikë Visar Ymeri dhe Imer Mushkolaj kanë komentuar mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-presidentes Vjosa Osmani në prag të zgjedhjeve të ardhshme, duke theksuar rëndësinë strategjike dhe ndikimin në opinionin publik.
Në emisionin “Debat Plus”, Ymeri vlerësoi se LDK duhet të marrë një vendim të qartë për drejtimin që do të ndjekë, duke analizuar nëse bashkëpunimi me Osmanin do të ishte më i dobishëm sesa një garë e vetme si subjekt politik.
“LDK duhet me ia shti lapsin. A është më mirë me të bashkëpunu me Vjosën në zgjedhje apo me dal qysh kanë qenë, si strukturë… Tash efekti i Vjosa Osmanit dhe kthimi i saj ose bashkëpunimi i saj me LDK-në, si efekt publik, kjo është për mua temë e rëndësishme. Jo sa ka fuqi politike Vjosa në vete”, ka deklaruar Ymeri.
Ai theksoi se dilema kryesore nuk lidhet vetëm me peshën politike të Osmanit, por me perceptimin që një bashkëpunim i tillë mund të krijojë tek elektorati.
Ndërkohë, analisti Imer Mushkolaj u shpreh se e ardhmja politike e Vjosa Osmanit mbetet e lidhur ngushtë me LDK-në, duke vënë në dyshim aftësinë e saj për të garuar me sukses si subjekt i pavarur.
“Fati politik i Vjosa Osmanit është i lidhur direkt me LDK-në. Vjosa Osmanin nuk e shoh se mundet të bëjë çfarëdo qoftë, në kuptimin e fuqisë politike që mund ta ketë po qe se garon e vetme në zgjedhje. Fati i saj politik është i lidhur me LDK. Sikur se edhe fati i kryetarit të LDK-së dhe një pjesë të LDK-së është i lidhur me Vjosa Osmanin”, ka thënë Mushkolaj.