Qytetarët kërkojnë president unifikues dhe konsensual, thonë se zgjedhjet po kushtojnë shumë
Foto: Laura Hasani

Qytetarët kërkojnë president unifikues dhe konsensual, thonë se zgjedhjet po kushtojnë shumë

Aktuale April 06, 2026 - 11:55

Qytetarët e vendit po kërkojnë zgjedhjen e një presidenti të ri.

Ata kanë deklaruar se duhet të lihen anash inatet politike dhe se duhet të zgjidhet një president unifikues dhe konsensual, në mënyrë që vendi të shkojë përpara.

Qytetari Besim Shala thotë për Ekonominë Online se politikanët duhet të bëhen bashkë në dhe ta zgjedhin presidentin.

Por, se siç thotë ai, edhe nëse shkohet në zgjedhje, është një gjë normale.

“Unë quhem Besim Shala, ndryshe pensionist. Vendi që bëhet me u zgjedhë më mirë është, se nuk ka humbje. Po këtu ashtë bërë grup i madh mes veti. Albin Kurti e ka mirë, mundet me zgjedhë presidentin më mirë, po qe se nuk zgjidhet, me dialog është më mirë. Që bëhet me u zgjedhë mirë, që s’bëhet, shkojmë në zgjedhje të lira, që është normale. Po, duhet me ra, duhet me gjetë se dikush ashtë bërë milioner, dikush s’ka çfarë të hajë. Unë kisha thënë me u bë bashkë, me formu shtetin, kryetarin, e mbasandej, qe s’bëhet, zgjedhje të lira. Ashtë gjë normale. Në vendin që kemi ne, nuk ka askush me ne. Me rrethin që kemi ne, asnjë s’ka askund. Banesa të reja, shtëpia të reja, veshje e mbathje, me ngrënë e me pirë të gjitha të mirat i kanë. Kush? Veç ata që kanë shumë para dhe lypin telashe”, tha Besim Shala.

Një qytetar tjetër, Vesel Veseli, kërkon që mes subjekteve politike të gjendet një kompromis për një figurë unifikuese, pasi sipas tij ka plot të tilla.

Veslei ka thënë se shteti nuk guxon të mbetet pa president, duke shtuar se për zgjedhjet e reja po ka shpenzime të shumta.

“Unë mendoj se duhet të gjejmë një kompromis mes subjekteve tona politike, në pozitë edhe në opozitë, të zgjedhim presidentin. Sepse shteti pa president nuk guxon të mbetet. Mirë është ushtruesja, po ajo është ushtruese. Edhe ne duhet sa më shpejt të gjejnë subjektet tona politike një president të unitetit, një president që nuk përçan, një president që e lufton për zhvillimin demokratik të shtetit, për zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, me NATO-n, i cili punon për ta çuar Kosovën si anëtare të Këshillit të Evropës, si anëtare të NATO-s dhe si anëtare të Kombeve të Bashkuara. Një asi president unifikues e jo përçarës na vjen. Zgjidhja më e mirë është zgjedhja e presidentit, sepse dihet zgjedhjet neve po na marrin shpenzime të mëdha financiare. Edhe ato shpenzime më mirë është që të përdoren për ndërtimin e një shkolle, e një çerdhe të fëmijëve, e një stacioni shëndetësor e tjera gjëra që janë të dobishme për popullin, e jo të shkojnë kështu shkel e shko. Besoj që ka shumë. Ata duhet të gjejnë një president unifikues, konsensual, që është i përshtatshëm, i dëshirueshëm për të gjitha partitë edhe për popullin, i dobishëm. S’ka lidhje i cilit subjekt politik është, po ndoshta edhe hiq i paangazhuar në politikë, por që është intelektual i fortë, domethënë edhe njeh politikën, marrëdhëniet ndërkombëtare, se si të na përfaqësojë në botën e jashtme”, tha Vesel Veseli.

Një ish-punëtor i arsimit, Basri Hoxha, tha se duhet lënë anash inatet dhe të vendoset për zgjedhjen e presidentit.

“Më lejoni të prezantohem, quhem Basri Hoxha. Kam punuar afër gjysmë shekulli në arsim dhe tani jam në pension. Nëse liderët tanë janë sado pak shtetformues, duhet t’i lënë inatet anash në këtë moment aktual dhe të vendosin patjetër për zgjedhjen e presidentit. Përndryshe, dëmtohet qytetari, dëmtohet shteti, dhe imazhi i këtij shteti para botës po dëmtohet rëndë. I lus liderët të mësojnë sado pak nga gabimet e tyre. Gabime të tilla kemi pasur me shekuj dhe liderët e kanë marrë në qafë këtë popull. Lumi ai që mëson nga gabimet e të tjerëve, por meqë këta nuk mësuan nga të tjerët, le të mësojnë të paktën nga gabimet e veta. Gjatë 50 viteve në arsim, shumë prej tyre kanë qenë nxënësit e mi. Edhe njëri nga kandidatët për president ka qenë nxënësi im. I lus, i lus, i lus që patjetër të ulen, t’i lënë inatet dhe të vlerësojnë interesin e shtetit për të zgjedhur një person konsensual. Kemi mjaft njerëz akademikë, të mençur e inteligjentë. Patjetër duhet të gjejnë një zgjidhje që të mos shkohet në zgjedhje”, tha Hoxha.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku janë duke zhvilluar një takim për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat që deri më 28 prill të zgjedhin presidentin e ri të vendit.