Lushtaku kujton Masakrën e Izbicës, ka “dy fjalë” edhe për ekspozitën e Shkëlzen Gashit
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka kujtuar 147 civilët e vrarë e të masakruar nga forcat serbe në Izbicë të kësaj komune.
Me këtë rast, ai pati edhe një reagim ndaj ekspozitës me autor Shkëlzen Gashi që u hap në sheshin e Prishtinës më 24 mars, me titullin “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila doli të kishte shumë pasaktësi.
Ai tha se kjo ekspozitë është fyerje për viktimat dhe familjet.
“Asnjë më pak se 147! 147 qirinj të ndezur sonte në Skenderaj në nderim të 147 civilëve të vrarë e të masakruar në Izbicë të Skenderajt. 147 janë jetë të pafajshme të masakruara mizorisht nga forcat serbe para 27 vitesh”.
“Dhe pikërisht sot, kur kujtesa kërkon dinjitet, ‘këshilltarë’ të pushtetit qendror tentojnë ta ndryshojnë e tjetërsojnë të vërtetën. Ekspozita e Shkëlzen Gashi është fyerje për viktimat dhe për çdo familje që ka dhënë për lirinë e Kosovës”, tha Lushtaku.
Ai theksoi se nuk ka barazim e nuk ka tjetërsim të ngjarjeve të ndodhura në luftën e Kosovës.
“E vërteta për Masakrën e Izbicës dhe për shumë krime të tjera në Kosovë është e pastër si kristali dhe kush e shtrembëron atë në favor të Serbisë është kundër të vërtetës dhe krah tyre që kryen krime në Kosovë”, tha kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.