LDK: Financimi i Kuvendit për ekspozitën skandaloze, dështim serioz institucional

LDK: Financimi i Kuvendit për ekspozitën skandaloze, dështim serioz institucional

Aktuale March 28, 2026 - 18:06

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ashpër ndaj përmbajtjes së një ekspozite të fundit mbi masakrat në Kosovë, duke e cilësuar atë si skandaloze dhe thellësisht të papranueshme.

Sipas LDK-së, ekspozita përfaqëson një devijim serioz nga e vërteta historike dhe cenon rëndë dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre.

Në reagim theksohet se lufta e Kosovës është një e vërtetë e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht, ndaj çdo përpjekje për ta shtrembëruar atë konsiderohet e dëmshme për kujtesën kolektive dhe themelet e shtetit.

Partia opozitare e ka cilësuar veçanërisht shqetësues faktin që një përmbajtje e tillë është financuar dhe promovuar nga Kuvendi i Kosovës, duke e quajtur këtë një dështim serioz institucional.

Haxhiu për ekspozitën e masakrave: Të gjithë anëtarët e Kryesisë votuan pro, pos Listës Serbe

LDK ka shprehur mbështetje për hetimet e Prokuroria Speciale e Kosovës, duke kërkuar që rasti të trajtohet me seriozitet, paanshmëri dhe vendosmëri deri në zbardhjen e plotë të përgjegjësive.

Në të njëjtën kohë, kjo parti ka kërkuar përgjegjësi publike nga të gjithë ata që kanë mundësuar financimin dhe promovimin e ekspozitës, si dhe një kërkimfalje të qartë ndaj familjeve të viktimave dhe qytetarëve.

LDK thekson se tema të tilla kërkojnë standarde të larta profesionale, verifikim të thelluar dhe kontroll institucional, duke nënvizuar se kujtesa historike nuk mund të jetë objekt improvizimi.

Në fund, LDK deklaron se do të qëndrojë e palëkundur në mbrojtje të së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave, duke e konsideruar këtë një vijë të kuqe që nuk mund të kalohet.