Kurti përkujton masakrën e Podujevës, kërkon drejtësi për viktimat

Kurti përkujton masakrën e Podujevës, kërkon drejtësi për viktimat

Aktuale March 28, 2026 - 13:22

Në këto ditë të kujtesës, mes dhimbjes dhe krenarisë, përkujtojmë 21 të vrarët në masakrën në Podujevë.

Më 28 mars 1999, mbi familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, u krye një nga krimet më të rënda ndaj civilëve shqiptarë.

Njësiti famëkeq “Shkorpionët”, që kishte kryer masakra në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë edhe në Srebrenicë, erdhi në Kosovë për të përsëritur të njëjtën mizori.

Pasi vranë dy burra të moshuar, i rreshtuan përballë një muri gratë dhe fëmijët. Me dy breshëri plumbash, pushkatuan shtatë gra dhe shtatë fëmijë, përfshirë një foshnjë 18 muajshe.

Nga ky krim, mbijetuan pesë dëshmitarë të jetës. Dëshmi e gjallë e krimit të Serbisë dhe e forcës njerëzore përballë barbarisë. Fëmijët që u qëlluan me 32 plumba, Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genci, në trup mbajnë historinë e popullit që nuk u dorëzua. Një histori e shkruar me gjak, me guxim dhe me shpresë.

Krahas dhimbjes, sot nderojmë forcën e tyre. Kujtojmë se sa i lartë ishte çmimi i lirisë, dhe se sa e shtrenjtë dhe e shenjtë është ajo. Përkulemi para sakrificës së popullit tonë dhe ngrihemi me zotimin për të mos harruar kurrë.

Krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë kanë dëshmi dhe dëshmitarë. Ato duhet të shndërrohen në aktakuza konkrete dhe dënime të merituara. Institucionet tona kanë për obligim që këto dëshmi të bëhen themel i drejtësisë së mohuar për dekada.

Themelimi i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë është një hap i rëndësishëm drejt dokumentimit të së vërtetës historike. Por kjo duhet të pasohet me veprime konkrete nga sistemi i drejtësisë.

U bëjmë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht Prokurorisë së Shtetit, që të veprojë me vendosmëri më të madhe. Me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, ia kemi mundësuar sistemit të drejtësisë së Kosovës të nisë procese, të ngrejë akuza, të shqyrtojë çështjet e të dënojë kriminelët e luftës, edhe kur ata janë në mungesë. Vrasësit, ekzekutorët dhe urdhërdhënësit e këtyre krimeve duhet të dalin para drejtësisë.

Në katër vitet e fundit, numri i hetimeve dhe aktakuzave për krimet e luftës në Kosovë është rritur, por duhet bërë shumë më tepër për drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre. Nuk mund të ketë paqe të plotë pa drejtësi.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të rënët për liri. E përhershme është përgjegjësia jonë për historinë dhe drejtësinë për të vrarët, dhe për zhvillimin e Republikës sonë!

Lavdi!