Sulmi ndaj mjekes nga qentë endacakë, rrezikun në QKUK po e ndjejnë edhe qytetarët e tjerë
Foto: Laura Hasani

Sulmi ndaj mjekes nga qentë endacakë, rrezikun në QKUK po e ndjejnë edhe qytetarët e tjerë

Aktuale March 27, 2026 - 21:42

Ishte nisur si çdo ditë tjetër për në punë.

Por këtë të premte, një mjekes, iu ndërpre rruga në gjysmë.

Në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ajo u sulmua nga qentë endacakë.

Punonjësja shëndetësore, e cila është edhe shtatzënë, tanimë po trajtohet në Kirurgjinë Plastike.

“Ju njoftojmë se sot rreth orës 8:00 të mëngjesit, një person (femër) është sulmuar nga qentë endacakë brenda oborrit të QKUK. Menjëherë pas ngjarjes, ekipet mjekësore të Qendrës Emergjente, kanë ofruar ndihmën e nevojshme shëndetësore. Aktualisht pacientja është nën përkujdesje profesionale në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe gjendja e saj është stabile, sipas mjekëve”, ka thënë Mirlinda Qyqalla zëdhënëse e QKUK-së.

Rrezikun nga qentë endacakë brenda QKUK-së, po ndjejnë edhe qytetarë të tjerë.

“Jo vetëm unë, por të gjithë qytetarët ndihen të rrezikuar. Ani pse kam bindjen që më pak ka tani se sa që ka pasur më herët qenë endacakë, unë besoj që nga e tërë Kosova po i sjellin këtu”, thotë Shyqyri Dumani-qytetar.

“Edhe ne si vizitorë këtu mundemi me qenë pre e qenve endacakë. Andaj si niveli lokal, edhe ai qendror duhet ta trajtojë seriozisht këtë çështje”, thotë Fuad Pallaska –qytetar.

Në anën tjetër, nga QKUK thanë për televizionin se kanë adresuar shqetësimet e tyre lidhur me situatën nga qentë endacakë brenda hapësirave të Spitalit.
Mirëpo nga Komuna thonë se kjo nuk është kompetencë e tyre.

“Hapësira në fjalë nuk është në kompetencë të Kryeqytetit. Ekipet tona në disa raste në të kaluarën kanë reaguar me qëllim të adresimit të shqetësimeve të qytetarëve, duke ndërmarrë veprime në terren për kapjen e qenve endacakë në atë zonë. Megjithatë, duke pasur parasysh ndarjen e kompetencave institucionale, ajo pjesë mbetet jashtë përgjegjësisë së drejtpërdrejtë të Komunës”, thuhet nga komuna.

Raste të ngjashme të sulmeve nga qentë endacakë brenda QKUK-së janë raportuar edhe më herët./teve1