Nagavci: Zgjedhjet e reja të panevojshme, synohet konsensus për presidentin
Foto: Laura Hasani

Nagavci: Zgjedhjet e reja të panevojshme, synohet konsensus për presidentin

Aktuale March 27, 2026 - 14:49

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se për ditët që i kanë në dispozicion do të intensifikojnë takimet dhe bisedat.

Kjo për shkak që, siç ka thënë Nagavci, janë të interesuar t’i shmangin zgjedhjet.

Sipas saj, zgjedhjet e reja jo vetëm që janë të panevojshme, por nuk do të sillnin asnjë rezultat të ri.

“Është ashtu siç jeni në njohuri, propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje kanë ardhur për të iniciuar procedurën dhe pasi nuk kishim asnjë propozim tjetër nga PDK, të cilët kërkonin që të bënim propozimet e tyre, gjithsesi kishim miratimin e lëvizjes për mbështetje të kandidatëve të tyre, ndonëse akoma edhe sot ne nuk e dimë për çfarë emrash specifikë bëhet fjalë ose kënd kanë pasur në mendje. Ndërkohë që nuk ka pasur ndonjë specifikë nga LDK-ja për marrëveshje politike të cilës i janë referuar. Gjithsesi, ne kemi iniciuar procedurën, tashmë kemi dy kandidatë. Seanca ka filluar, por nuk konsiderohet që kemi filluar edhe në fazën e parë, pra në momentin kur të kemi 80 deputetë në sallë të cilët marrin pjesë edhe vendosin votat e tyre në kuti, ne mund të dimë se si po vazhdojmë tutje. Ndërkohë që ditët e mbetura natyrisht do të intensifikohen takimet edhe bisedat, sepse si Lëvizje jemi tejet të interesuar që të shmangim edhe një palë zgjedhje të reja, sepse besoj që mundësitë janë, gjasat janë reale edhe është e nevojshme, pothuajse e domosdoshme që ne të zgjedhim presidentin, sepse edhe një palë zgjedhje të reja jo vetëm që janë të panevojshme e të padrejta, por nuk do të sjellin asnjë rezultat të ri”, ka thënë Nagavci.

E, pyetur se a do të vazhdojnë t’i propozojnë kandidatët e njëjtë për president si në seancën e kaluar, Nagavci ka thënë se nuk mund ta konfirmon një gjë të tillë.

“Nuk mund të konfirmoj diçka të tillë që tani, për shkak se do të vazhdojnë bisedat. Unë besoj dhe pres që liderët e dy partive të tjera më të mëdha, por nga ana tjetër pres edhe të gjithë deputetët të cilët e kanë marrë besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar në Kuvend, që të kryejnë detyrën e tyre në funksion të zgjidhjes së problemit dhe zgjedhjes së presidentit”, është shprehur ajo.

Por, ka deklaruar se pret nga PDK-ja dhe LDK-ja të jenë të hapur dhe transparentë, duke shtuar se nuk mund të pritet nga Vetëvendosja që t’i tërheqë emrat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Kollçakut për president, derisa nuk ka emra të tjera për të cilët do të mund të diskutonin.

“Tani ky është një konstatim i juaji, sepse sikurse jemi dëshmitarë të gjithë, ne nuk kemi pasur asnjë propozim tjetër. Pra nuk mund të prisni nga Lëvizja që ne sot të themi se do t’i tërheqim kandidatët tanë, ndërkohë që nuk është dëgjuar asnjë emër tjetër i përveçëm për të cilin ne do të mund të diskutonim e të bisedonim. Pra, unë pres që siç e thashë, edhe krerët e dy partive të tjera politike, të PDK-së edhe të LDK-së, përveç pjesëmarrjes në takime, të jenë të hapur e transparentë edhe me qytetarët. Pra, cilat specifikisht do të mund të ishin kërkesat e tyre, cilat do të mund të ishin pritshmëritë e tyre nga Lëvizja dhe për çfarë ne duhet të diskutojmë specifikisht në mënyrë që të shmangim edhe një palë zgjedhje të reja. Por sot që po flasim, kur nuk kemi asnjë emër, asnjë propozim, asnjë temë konkrete, çështje konkrete për bashkëpunim, ne nuk mund thjesht të themi se po tërhiqemi nga dy kandidatët tanë, të cilët sikurse jeni në njohuri, i kemi propozuar: zëvendëskryeministrin Konjufca diku më pak se 30 orë përpara se të përfundonte afati formal për zgjedhjen e presidentit, ndërkohë që deputeten Kollçaku më pak se 3 orë përpara se të fillonte seanca. Pra, edhe kandidimi, nominimi i zonjës Kollçaku ka ardhur pikërisht në mënyrë që të mos përmbyllet jo-suksesshëm afati për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë ndër të tjera Nagavci. /EO