Kusari-Lila takohet me ambasadorin italian, flasin për thellimin e bashkëpunimit ekonomik

Kusari-Lila takohet me ambasadorin italian, flasin për thellimin e bashkëpunimit ekonomik

Aktuale March 27, 2026 - 14:35

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antoninin, për të diskutuar zgjerimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve.

Gjatë takimit u theksua se thellimi i bashkëpunimit ekonomik Kosovë–Itali mbetet prioritet për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ministrja prezantoi punën e Ministrisë, duke përfshirë planprogramin katërvjeçar për zhvillimin e parqeve industriale, integrimin e politikave të gjelbra, avancimin e ekonomisë qarkore dhe rritjen e mundësive për investime të përbashkëta”, thuhet në njoftim.

Diskutimet përfshinë edhe lehtësimin e procedurave për regjistrimin e bizneseve të huaja në Kosovë përmes platformës së Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, me qëllim krijimin e kushteve më të favorshme për investitorët.

Ministrja Kusari-Lila dhe ambasadori Antonini ranë dakord për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke synuar rritjen e investimeve, fuqizimin e lidhjeve ekonomike dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset.

Në fokus ishin edhe aktivitetet e ardhshme përmes forumeve ekonomike, duke përfshirë forumet që do të mbahen në maj në Kosovë dhe më pas në Trieste të Italisë.