Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë riakreditohet për pesë vjet
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) ka marrë riakreditim për periudhën shtator 2026 – shtator 2031. Vendimi u miratua në mbledhjen e 147-të të Këshilli Shtetëror për Cilësi (KSHC) më 23 mars 2026, pas shqyrtimit të raportit të ekspertëve ndërkombëtarë dhe është konfirmuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA).
Rektorja e UIBM-së, Nurten Deva, ka vlerësuar riakreditimin si një dëshmi të ngritjes së cilësisë në universitet, duke përfshirë mësimdhënien, shërbimet administrative dhe strukturat akademike.
Ajo falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në procesin e riakreditimit, duke nisur nga Këshilli Drejtues, Senati, dekanët, stafi akademik, administrata, studentët, si dhe partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Ky vlerësim përfaqëson një standard të lartë akademik dhe institucional, si dhe dëshmi të një kulture organizative të bazuar në cilësi, profesionalizëm, integritet dhe bashkëpunim ndërsektorial”, tha Deva.
Ajo shtoi se suksesi i këtij riakreditimi është rezultat i punës së përbashkët dhe vizionit strategjik të universitetit, duke nënvizuar përgjegjësinë për zhvillimin e mëtejshëm akademik, kërkimin shkencor, inovacionin dhe shërbimin ndaj shoqërisë. /rtk