Gara: Pas një pritjeje të rëndë e të gjatë, eshtrat e Ajvaz Shehut rikthehen në tokën e tij

Gara: Pas një pritjeje të rëndë e të gjatë, eshtrat e Ajvaz Shehut rikthehen në tokën e tij

Aktuale March 26, 2026 - 14:45

Ajvaz Shehu, një nga viktimat më të reja të masakrës së Krushës së Vogël, është rivarrosur në 27-vjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike, pasi familja e tij vendosi t’i japë më në fund lamtumirën e dinjitetshme.

Edhe pse eshtrat e tij ishin gjetur dhe identifikuar para tetë vjetësh, varrimi ishte shtyrë për shkak se nëna e tij nuk kishte pranuar ta pranonte vdekjen e djalit.

Kushtrim Gara, nga Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, nga Krusha e Vogël tha se tha se pas një pritjeje të gjatë eshtrat e Ajvazit rikthehen në tokën e tij.

“Sot, pas një pritjeje të rëndë e të gjatë, eshtrat e tij rikthehen në tokën e tij, në vendin që i takon me dinjitet. Sot kjo është më shumë se një ceremoni rivarrimi, është një përballje me një histori dhimbjeje që ka zgjatur 27 vjet, histori që nuk mund të rrëfehet pa përmendur nënën e tij, Zeba Shehu. Zeba humbi gjithçka në një ditë: bashkëshortin, djalin dhe shtatë anëtarë të tjerë të familjes. Në një çast u shua një botë e tërë, por Zeba nuk u dorëzua asnjëherë. Me një forcë që vetëm zemra e një nëne njeh, ajo jetoi me shpresën se Ajvazi ishte gjallë dhe një ditë do të kthehej. Edhe kur e vërteta u dha, ajo nuk mund ta pranonte këtë të vërtetë; për të Ajvazi mbeti i gjallë deri në frymën e fundit të saj. Ajo jetoi mes fotos dhe kujtimit”, tha ai. /Ekonomia Online