Aksione për largimin e pllakateve pa leje dhe nisje të punimeve për pastrimin e Kejit të Ibrit

Aksione për largimin e pllakateve pa leje dhe nisje të punimeve për pastrimin e Kejit të Ibrit

Aktuale March 26, 2026 - 14:39

Komuna e Mitrovicës ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh në funksion të përmirësimit të rendit urban dhe cilësisë së hapësirave publike në qytet.

Drejtoria e Inspektoratit është duke vazhduar aksionet në terren për zbatimin e rendit, rregullit dhe ligjit, ku inspektorët komunalë po largojnë tabelat reklamuese dhe afishet e vendosura pa leje dhe që shfrytëzohen në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Drejtori i Inspektoratit, Mujë Igrishta, ka bërë të ditur se aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

“Aksione do të ketë në vazhdimësi deri sa të krijohet hapësirë publike më e rregullt dhe më e sigurt për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, Drejtoria për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë ka nisur punimet për pastrimin e shëtitores së Kejit dhe hapësirave përreth lumit Ibër.

Sipas njoftimit, paralelisht janë duke u zhvilluar edhe punime për rregullimin e kanalizimit nga zona e palestrës deri tek ura e re për vetura mbi lumin Ibër.

Nga Komuna theksohet se këto ndërhyrje kanë për qëllim rritjen e cilësisë së hapësirave publike, zhvillimin e qëndrueshëm urban, si dhe parandalimin e ndotjes dhe kundërmimit në këtë pjesë të qytetit.