Mbi 4 mijë zyrtarë kanë deklaruar pasurinë, mijëra të tjerë ende pa e nisur procesin
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka bërë të ditur se procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë për vitin 2025 po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa afati ligjor, 31 marsi 2026, po afrohet.
Sipas të dhënave të përditësuara deri më 25 mars (mesditë), gjithsej 4860 zyrtarë publikë, ose 46.94 për qind, e kanë përfunduar deklarimin e pasurisë. Ndërkohë, 2088 zyrtarë (20.17 për qind) janë aktualisht në proces të plotësimit të deklaratave.
Në anën tjetër, 3405 zyrtarë publikë, ose 32,89 për qind, ende nuk e kanë nisur këtë obligim ligjor.
Në total, 10.353 zyrtarë publikë janë të obliguar të deklarojnë pasurinë në këtë cikël, deri në përfundim të afatit më 31 mars 2026.
Sipas APK-së, këto shifra tregojnë një rritje të angazhimit në ditët e fundit, megjithatë mbetet e domosdoshme që të gjithë zyrtarët të përmbushin obligimin brenda afatit të përcaktuar.
Drejtori i Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka bërë thirrje që deklarimi të kryhet në kohë, duke theksuar rëndësinë e transparencës.
“Transparenca nuk është vetëm detyrim ligjor, por përbën themelin e besimit qytetar dhe të integritetit institucional”, ka theksuar ai.
APK-ja rikujton se mosdeklarimi, vonesa apo deklarimi i pasaktë i pasurisë përbëjnë shkelje ligjore dhe mund të sanksionohen me gjoba, kallëzime penale, e deri në dënime me burgim dhe konfiskim të pasurisë së padeklaruar. /Zëri