28 vjet nga Epopeja e Dukagjinit, Hilmi Haradinaj kujtohet për qëndresën heroike ndaj rrethimit të trefishtë

28 vjet nga Epopeja e Dukagjinit, Hilmi Haradinaj kujtohet për qëndresën heroike ndaj rrethimit të trefishtë

Aktuale March 24, 2026 - 16:51

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka përkujtuar 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së afërt të Kosovës.

Me këtë rast, kategoritë e dala nga lufta zhvilluan homazhe në Kompleksin e Dëshmorëve të Kombit në Zonën Operative të Dukagjinit, ku vendosën kurora lulesh në nderim të të rënëve: Gazmend Mehmetaj, Agron Mehmetaj dhe Himë Haradinaj.

Ngjarjet e 24 marsit 1998 mbeten të skalitura në kujtesën kolektive.

Në këtë ditë, Hilmi Haradinaj, së bashku me djemtë dhe bashkëfshatarët e tij, u përballën me guxim me një rrethim të trefishtë nga forcat jugosllave.

Qëndresa e tyre konsiderohet si një ndër dëshmitë më të fuqishme të vendosmërisë për liri, dinjitet dhe mbrojtje të atdheut.

Kjo datë përkon edhe me një moment vendimtar të historisë moderne të Kosovës. Më 24 mars 1999, NATO ndërhyri për t’i dhënë fund dhunës dhe padrejtësive ndaj popullit të Kosovës, një akt që kujtohet me mirënjohje si hap drejt lirisë dhe çlirimit.

Përmes këtyre aktiviteteve përkujtimore u theksua rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike dhe nderimit të sakrificës së atyre që dhanë jetën për liri. /Zëri