Osmani përkujton 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit: Lavdi të përjetshme dëshmorëve
Foto: Facebook

Osmani përkujton 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit: Lavdi të përjetshme dëshmorëve

Aktuale March 24, 2026 - 18:24

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përkujtoi sot me nderim dhe përulje 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, duke e cilësuar atë një kujtesë dhe testament të sakrificës, guximit dhe vendosmërisë për liri.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook, rikujtoi se më 24 mars 1998, në Gllogjan, Ushtria Çlirimtare e Kosovës zhvilloi betejën frontale kundër forcave serbe, të cilat kishin rrethuar fshatin dhe veçanërisht familjen Haradinaj, simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri.

“Ne kujtojmë me respekt 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, një nga kapitujt më të lavdishëm të luftës sonë për liri. Në atë ditë ranë për liri dëshmorët Him Haradinaj, Gazmend dhe Agron Mehmetaj, duke u bërë pjesë e historisë tonë kombëtare,” shkroi Osmani.

Ajo shtoi se Epopeja e Dukagjinit mbetet frymëzim i përhershëm për brezat e rinj për të ruajtur dhe forcuar shtetin, i ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve, duke përfunduar: “Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri!”. /Zëri