Kurti përkujton nisjen e bombardimeve të NATO-s: Ndërhyrja që ndali gjenocidin në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 27-vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, duke theksuar se ndërhyrja ushtarake ndaloi gjenocidin dhe spastrimin etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Kurti rikujtoi se më 24 mars 1999 aleanca veri-atlantike, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisi operacionin “Forca Aleate”, duke goditur caqet ushtarake dhe policore të Jugosllavisë.
Ai theksoi se ndërhyrja erdhi pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës, duke akuzuar regjimin e Sllobodan Millosheviqit për refuzim të marrëveshjeve dhe vazhdim të dhunës ndaj civilëve shqiptarë.
Kurti rikujtoi edhe deklaratën e atëhershme të presidentit amerikan, Bill Clinton, i cili kishte paralajmëruar se nëse Millosheviqi nuk do të pranonte paqen, NATO-ja do t’i kufizonte aftësitë për të bërë luftë.
Sipas tij, bombardimet zgjatën 78 ditë, deri më 10 qershor 1999, kur me Marrëveshjen Teknike Ushtarake në Kumanovë përfundoi lufta në Kosovë.
Megjithatë, Kurti theksoi se gjatë asaj periudhe forcat serbe intensifikuan spastrimin etnik, duke dëbuar mbi 860 mijë shqiptarë dhe duke vrarë mijëra civilë, ndërsa shumë persona vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.
Në fund, ai shprehu mirënjohje për të gjitha vendet e NATO-s, duke veçuar rolin e SHBA-së në çlirimin e Kosovës dhe në rrugën e saj drejt demokracisë dhe shtetndërtimit.