Të burgosurit në Prishtinë përfundojnë me sukses dy programe rehabilituese

Të burgosurit në Prishtinë përfundojnë me sukses dy programe rehabilituese

Aktuale March 24, 2026 - 12:31

Në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë janë realizuar me sukses dy programe rehabilituese, “Menaxhimi i Zemërimit” dhe “Shkathtësitë Sociale”, të udhëhequra nga zyrtarët socialë të kësaj qendre.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se këto programe synojnë zhvillimin e aftësive personale dhe sociale të të burgosurve, duke ndikuar drejtpërdrejt në kontrollin e emocioneve, përmirësimin e sjelljes dhe marrjen e vendimeve të përgjegjshme.

“Ndihmojnë pjesëmarrësit jo vetëm gjatë qëndrimit në institucion, por edhe në përgatitjen për jetën pas lirimit. Certifikatat u dhuruan nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ridvan Hoti, drejtoresha për Trajtim, Trendelina Qorraj dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit në QP Prishtinë, Salih Ademi”, thuhet në njoftim.

Zbatimi i këtyre programeve konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rehabilitimit dhe riintegrimit social të të burgosurve, duke kontribuar edhe në uljen e rrezikut të përsëritjes së veprave penale.