5-vjeçari nga Lipjan në gjendje të rëndë në QKUK, vizitohet nga ministri Vitia
Një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjan po trajtohet në gjendje të rëndë në Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), por me parametra vitalë stabilë, pasi dyshohet se ka qenë viktimë e keqtrajtimit dhe kequshqyerjes nga prindërit e tij, të cilët tashmë janë arrestuar.
Sipas njoftimit të Klinikës së Pediatrisë, thuhet se fëmija fillimisht është pranuar në Emergjencën Qendrore me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime gangrenoze, raporton Zeri.info.
Në momentin e pranimit ai ishte në gjendje të rënduar, me dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim.
Pas ndërhyrjeve të para dhe konsultave me specialistë, mjekët kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent në repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, ku po vazhdon trajtimi. Aktualisht, fëmija mbetet në gjendje të rëndë, por me parametra vitalë stabilë.
Rasti është raportuar menjëherë te autoritetet përkatëse, përfshirë Policia e Kosovës dhe shërbimet sociale, për shkak të dyshimeve për keqtrajtim.
Fëmija ndodhet pa praninë e prindërve apo kujdestarit ligjor dhe është nën mbikëqyrje të vazhdueshme të stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë.
Kujdesi ndaj tij po ofrohet nga një ekip multidisiplinar që përfshin pediatër, kirurgë vaskularë, kirurgë plastikë dhe ortopedë.
Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, në trajtim janë përfshirë edhe psikologë dhe psikiatër të fëmijëve.
Gjatë ditës së sotme, fëmija është vizituar edhe nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Ndërkohë, në koordinim me ministrin për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti, dhe Qendrën për Punë Sociale në Lipjan, pritet të ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm për mbrojtjen ligjore dhe sociale të tij. /Zëri