Kabineti qeveritar në takim dyditor për programin e ri të qeverisë
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Qeveria ka nisur një takim të përbashkët dyditor të kabinetit qeveritar, me synimin që zotimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore të shndërrohen në program konkret qeverisës për mandatin e ri.
Në një shkrim në Facebook, Kurti kujtoi se në zgjedhjet e dhjetorit 2025 qytetarët i dhanë një besim të madh qeverisë së tij, duke theksuar se ky besim duhet të përkthehet në siguri dhe begati për vendin.
Sipas tij, gjatë këtij takimi të kabinetit do të punohet për ta shndërruar ekspozenë e prezantuar para deputetëve dhe zotimet elektorale në një program të detajuar qeverisës, i cili më pas do të konkretizohet në plane me projekte, objektiva dhe masa të përditshme pune.
Kurti theksoi se angazhimi për të mirën e përgjithshme dhe interesin publik do të mbetet në qendër të qeverisjes, duke përmendur si prioritete zhvillimin, barazinë, integritetin dhe dinjitetin shtetëror gjatë këtij mandati./Zëri