Në garë për kryesues të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi e Milot Krasniqi
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) është mbledhur në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend të ditës është zgjedhja e kryesuesit të ri të këtij institucioni.
Në garë për këtë post janë dy kandidatë, Arian Gashi dhe Milot Krasniqi.
Tashmë në këtë takim ka nisur prezantimin Gashi, ku para anëtarëve ka paraqitur prioritetet e tij për drejtimin e institucionit e ku është zotuar se do të udhëhiqet nga profesionalizmi dhe parimet e paanshmërisë e asnjëherë nga interesat vetanake ose grupore.
“Të gjitha këto objektiva dhe aktivitete do t’i arrijmë së bashku brenda kompetencave që na lejon Kushtetuta dhe ligjet, duke pasur gjithmonë në mendje vizionin tonë për të pasur një sistem prokurorial që njihet me profesionalizëm, llogaridhënie e paanshmëri dhe që ka besim të lartë të qytetarëve të Kosovës, e që ofrohet nga shërbimi i prokurorisë që është efikas, efektiv dhe etik. Andaj, duke qenë të gjithë pjesë e sistemit prokurorial, besoj fuqishëm në vullnetin dhe gatishmërinë tuaj për t’u rreshtuar të gjithë së bashku drejt një angazhimi të plotë në interes të fuqizimit të sistemit prokurorial, të udhëhequr gjithmonë nga parimet e paanshmërisë, pavarësisë, profesionalizmit dhe asnjëherë nga interesat vetanake apo grupore”, tha Gashi. /eo