Nufi: Shqipëria ka përgjegjësi për sigurinë në rajon
Foto: Laura Hasani

Nufi: Shqipëria ka përgjegjësi për sigurinë në rajon

Aktuale March 07, 2026 - 17:29

Ministri i ri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar pas marrjes së detyrës, duke theksuar se e konsideron këtë përgjegjësi një nder të madh në shërbim të sigurisë së vendit.

Nufi u shpreh se e merr detyrën me ndjenjë të thellë përgjegjësie, ndërsa falënderoi kryeministrin Edi Rama për besimin e dhënë.

“Marr detyrën si ministër i Mbrojtjes me një ndjenjë të thellë nderi dhe me vetëdijen e plotë për përgjegjësinë që mbart ky institucion për sigurinë e vendit dhe sovranitetin e Shqipërisë. Jam thellësisht falënderues për besimin e dhënë nga Kryeministri Edi Rama në shërbim të Republikës”, shprehet Nufi.

Ai theksoi gjithashtu rolin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO dhe angazhimin për integrimin në BE, duke nënvizuar përgjegjësinë për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Ministri i ri i Mbrojtjes shprehu edhe mirënjohje për paraardhësin e tij, Pirro Vengu, për kontributin në drejtimin e institucionit.

“I vetëdijshëm se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe si një vend i përkushtuar ndaj integrimit evropian, ka një përgjegjësi të veçantë për stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë. Respekt dhe falënderim për Ministrin në largim Pirro Vengu për kontributin e tij, dhe i bindur se institucionet e forta ndërtohen mbi vazhdimësinë dhe respektin për punën e paraardhësve. Forca e një institucioni nuk matet vetëm me pajisje apo struktura, ajo matet me karakter, përkushtim dhe njerëzit që e shërbejnë atë. Për Atdheun. Për Republikën. Për Shqipërinë”, shkruan Nufi.