Osmani shpalli dekretin për shpërndarje të Kuvendit, reagojnë nga Lëvizja Vetëvendosje
Foto: Laura Hasani

Osmani shpalli dekretin për shpërndarje të Kuvendit, reagojnë nga Lëvizja Vetëvendosje

Aktuale March 06, 2026 - 09:44

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh zyrtar i Lëvizja Vetëvendosje, Jeton Zulfaj, ka reaguar pas zhvillimeve në Kuvendi i Kosovës lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Zulfaj ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka respektuar plotësisht Kushtetutën gjatë gjithë procesit.

“Lëvizja Vetëvendosje e respektoi Kushtetutën në plotni”, shkroi ai.

Sipas tij, partia në pushtet ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm kushtetues për zhvillimin e procesit të zgjedhjes së presidentit.

“Vendosi dy kandidatë që të ketë garë. PDK-ja dhe LDK-ja së bashku kanë 37 deputetë, por nuk sollën asnjë kandidat. Filloi seancën që të niste procedura brenda afatit. Bëri të gjitha veprimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, deri te konstatimi i prezencës së deputetëve në sallë”, ka theksuar Zulfaj.

Ai shtoi se seanca u ndërpre për shkak të mungesës së deputetëve në sallë, duke theksuar se ajo do të vazhdojë kur të sigurohet prezenca e tyre.

“Ndërpreu seancën për mungesë të deputetëve, për ta vazhduar kur ata të kthehen në sallë, siç e kanë obligim dhe detyrim kushtetues”, ka deklaruar ai.

Në reagimin e tij, Zulfaj ka akuzuar opozitën për bojkot të proceseve institucionale, duke përmendur edhe zhvillimet e vitit të kaluar.

“Vitin e kaluar na humbën kohë duke bojkotuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit; tash duan të na humbin kohë sërish duke bojkotuar zgjedhjen e presidentit. Por presidenti duhet të zgjidhet”, ka shkruar Zulfaj. /telegrafi