Osmani për amendamentet që i çoi në Kuvend: Mundësia për zgjedhje direkte të presidentit do të krijohej pas pesë vjetësh
Presidentja e vendit Vjosa Osmani tha se amendamentet që i çoi në Kuvend për zgjedhjen e presidentit nuk kanë të bëjnë me mundësinë e saj për të kandiduar në zgjedhjet e reja, meqë ato të krijonin kushte për zgjedhjen e presidentit nga populli tek pas pesë vjetësh.
Ajo tha se veprimi i saj i djeshëm ra në kohën e një “një klime politike të tensionuar” dhe tha se këtë kohë “çdo veprim shihet me dyshim dhe çdo vendim interpretohet përtej asaj që mund të jetë e vërtetë”.
“Këto amendamente nuk do të kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që do të duhej të zgjidhej deri mbrëmë, pra për pasardhësin e menjëhershëm të mandatit tim. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Vetë amendamentet parashohin që procedura e përzgjedhjes së drejtpërdrejtë nga populli duhet të fillojë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Edhe nëse këto amendamente do të miratoheshin mbrëmë, ato nuk do të ndryshonin asgjë sa i përket zgjedhjes së pasardhësit tim. Deri mbrëmë në mesnatë ka qenë afati për zgjedhjen e pasardhësit tim, do të zgjidhej nga Kuvendi dhe tek pas pesë vjetësh do të krijohej mundësia për zgjedhje të drejtpërdrejtë nga populli”.
“Kjo s’ka të bëjë fare me mandatin tim sepse mundësia për zgjedhje nga populli do të krijohej tek pas pesë vitesh, sipas atyre amendamenteve, jo tani. Pra, s’ka pasë të bëjë me mundësinë që unë të kandidoj në zgjedhje të reja tani”. /express