Historia e luftës në Kosovë ligjërohet në orën e parë mësimore, Rama: Familja Jashari u flijua
Ligjërata për Epopenë e UÇK-së në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” u shoqërua me praninë dhe bashkëbisedimin e të parit të Prishtinës, Përparim Rama. Përveç ligjëratës, nxënësit parashtruan pyetje ndaj zyrtarëve të Komunës.
Një ndër pyetjet e nxënësve ishte se a do të ketë Prishtina një plan muze për historitë e shkollave.
E për këtë Rama pati një përgjigje.
“Një ndër shtëpitë më të mëdha është konsideru një shkollë që sot quhet ‘Sami Frashëri’ e që atëherë e kanë asgjësu si Shtëpia e Herticëve, ajo vetëm është duke u transformuar në një muze, pra ku edhe pikërisht synohet që turistët e ndryshëm, vizitorët e ndryshëm por edhe nxënësit tanë në radhë të parë të kenë mundësi me vizituar edhe me parë hapësirat ku nxënësit gjatë periudhës së okupimit si të bëjnë ato vitet ’90 para luftës, para se me fillu lufta, pra gjatë kohës së okupimit si kanë mësuar, sistemin paralel pra si janë krijuar edhe si kanë vepruar edhe çfarë kanë mësuar edhe nëpër çfarë kushtesh kanë mësuar”, shpjegoi ai.
Ndërkaq Rama pas ligjëratës para mediave tregoi arsyen se pse ka vendosur të jetë i pranishëm në këtë shkollë, derisa përmendi edhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne sot ishim këtu në ‘Xhevdet Doda’, në shkollën e mesme ‘Xhevdet Doda’. Kjo është edhe si rezultat që shkolla është në qendër, është shkollë në të cilën edhe unë kam mësuar, shkollë për të cilën është përfolur, mirëpo po them, e pamë sot edhe nga nxënësit që në asnjë mënyrë nuk ka qenë, po them, një ligjëratë e cila ka devijuar, por është treguar edhe për, po them, për vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe këtë sot, së bashku edhe me komandantin Fatmir Sopin, erdhëm për me i tregu edhe me e mbajt një ligjëratë rreth sfidave nëpër të cilat ka kaluar populli ynë, epopenë e UÇK-së, pra familjen e heroit legjendar Adem Jashari, i cili e flijoi të gjithë familjen. Pra, e gjithë familja Jashari u flijua edhe ishte një inspirim për ngritjen e popullit shqiptar për çlirim”, tha ai.
Gjithashtu kryetari pati urim për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
“Pra, çlirimi i vendit tonë, liria, demokracia, nuk është diçka që ka pikë prej qiellit, por diçka që është fituar me gjak, diçka që ka qenë një sfidë e madhe. Dhe sot që gëzojmë në paqe, edhe sot që i kemi edhe krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë në Hagë, uroj që të lirohen sa më shpejt, sepse dihet botërisht që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër, ka qenë për lirinë dhe çlirimin e popullit tonë nga një sundim i një okupatori, të cilët edhe kanë krijuar, kanë bërë tortura të ndryshme ndaj popullit shqiptar. Pra ka qenë një luftë e pastër. Për këtë, po them, ne kemi filluar qysh para katër vitesh që t’i mbajmë këto ligjërata nëpër shkolla të ndryshme. Kësaj radhe e kemi këtu në shkollën ‘Xhevdet Doda’ dhe do të vazhdojmë normal çdo vit. Pra, kjo tashmë është bërë edhe pjesë e kurrikulës së shkollave në kryeqytet dhe do të vazhdojmë çdo vit”, theksoi Rama. /EO