Identifikohen mbetjet mortore të Myrteza Dylhasit nga Gjakova, do të rivarroset të premten

Identifikohen mbetjet mortore të Myrteza Dylhasit nga Gjakova, do të rivarroset të premten

Aktuale March 04, 2026 - 09:27

Instituti i Mjekësisë Ligjore i Kosovës ka bërë të ditur se janë gjetur dhe identifikuar mbetjet mortore të Myrteza (Skënder) Dylhasit nga Gjakova, i rrëmbyer gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ceremonia e rivarrimit të tij është caktuar për të premten, më 6 mars. Homazhet do të zhvillohen nga ora 12:00 deri në 13:00 në pallatin e kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, ndërsa varrimi do të mbahet në orën 13:30 në Kompleksin Memorial në Çabrat.

Myrteza Dylhasi, më 27 mars 1999, së bashku me babanë e tij Skënder Dylhasin, gjashtë anëtarë të familjes Qerkezi, dy fqinj të familjes Jetishi dhe një anëtar të familjes Ymeraga, u rrëmbyen nga forcat serbe nga shtëpia e Halim Qerkezit në Gjakovë.

Komuna e Gjakovës bën thirrje për pjesëmarrje në homazhe dhe përkujtim të kujtimit të viktimave të luftës, duke nderuar kështu kontributin dhe sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.