Aksidentet në Bresje, komuna parasheh udhëkryq për të parandaluar rastet fatale
Semaforët janë funksionalë.
Por anipse kjo pajisje sinjalizuese është aktive, një këmbësor gjeti vdekjen pikërisht në këtë rrugë këtu në Bresje të Fushë Kosovës, mbrëmjen e 22 shkurtit.
E ky nuk është rasti i vetëm tragjik që ka ndodhur në këtë vend.
Në po të njëjtin lokacion, edhe më herët ishin raportuar raste të tilla.
Por cilat janë veprimet që do ndërmirren për të parandaluar këto aksidente me fatalitet?
“Jo vetëm kjo në Bresje, por komplet E9, është me rrezikshmëri për qytetarët e Fushë Kosovës. E njëjta ka ndodhur në fshatin Miradi, ku thuajse secilën ditë kemi të vdekur shtatë- tetë persona. Do të thotë iniciativa nuk ka munguar, tani jemi duke pritur konfirmimin për takim me ministrin e ri që është i caktuar, ku do të koordinojmë hapat e mëtutjeshëm”, th kryetari i Fushw – Kosovës, Valon Prebreza.
Kryetari i Fushë Kosovës tregoi edhe kërkesat që do i adresojnë Ministrisë së Infrastrukturës.
“Për pjesën e Miradisë kemi kërkuar një mbikalim për banorët aty, kurse për pjesën e Bresjes, e kemi projektin e QKMF-së, që do të ndërtohet pikërisht në atë zonë, dhe emergjenca e Fushë Kosovës njëkohësisht kemi menduar që duhet me u ri-dizajnu ajo pjesë. Semaforët ku janë duhet të vijnë 50 metra më përpara që do të thotë me u bë një farë udhëkryqi që qytetarët e Fushë Kosovës do ta kenë lidhshmërinë në nivel. Rruga e cila quhet rruga e ‘Fabrikës së kripës’ e cila ka dalje për në fshatin Kozmin si dhe kjo pjesa e rrugës së Uglarit, do të ketë një devijim të rrugës prapa QKMF-së”, tha ai.
Por sipas ekspertit të komunikacionit, Nol Dedaj, në këtë segment duhet të bëhet një auditim i sigurisë së komunikacionit.
“Ministria e Infrastrukturës është e obliguar që të bëjë studimin e këtyre vendeve të rrezikshme dhe të marrë masa preventive të këtyre aksidenteve, meqë ata nuk janë marrë unë do ta propozoj një qarkullim rrethor me dy shirita të qarkullimit i cili do të mënjanonte pikat e konfliktit nga 32 pika në 8 pika konflikti”, tha Dedaj
Sipas Dedajt, shoferët e automjeteve nuk po respektojnë rregullat e komunikacionit.
Prandaj ai kërkon që të bëhen disa ndryshime.
“Shpejtësia e kufizime në vendbanim 60km në orë nuk guxon të jetë dhe cila është mundësia jonë është që me zbrit në 50 km në orë ose edhe në 40 km në orë në mënyrë që me mënjanu të gjitha pikat e konfliktit. Tani ne aty i kemi 28 pika konflikti vetëm me automjet, kurse me këmbësor i kemi 8 pika konflikti”, theksoi Dedaj.
Aksidente me fatalitet, në këtë zonë së fundmi ishin regjistruar edhe në nëntor e dhjetor të vitit të kaluar./teve1