Mblidhet LVV-ja, diskutohet edhe çështja e presidentit
Foto: Laura Hasani

Mblidhet LVV-ja, diskutohet edhe çështja e presidentit

Aktuale March 01, 2026 - 09:33

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se do të mbledhë Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, sot në orën 12:00 në hotelin “Emerald”.

Mbledhja vjen pas një takimi të Kurtit me kreun e Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamzën, por ende nuk dihet nëse do të merret vendim për kandidaturën e Presidentit të Kosovës.

Para mediave, Kurti deklaroi se mbledhja është thirrur kryesisht për qëllime statutor dhe për përgatitjet e vitit zgjedhor 2026:“Ne do ta kemi mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje nesër. Natyrisht që mbledhjen e nesërme nuk e kemi thirrur enkas për çështjen e Presidentit të Republikës. E kemi thirrur para se gjithash, për shkak se është obligim statutor i yni kronologjik që t’i kemi katër mbledhje në vit, pra çdo tre muaj, dhe sidomos për shkak se sivjet, 2026-a është vit zgjedhor në Lëvizjen Vetëvendosje", tha Kurti.

Ai shtoi se partia do të diskutojë edhe këtë çështje dhe mund të dalë me propozime për kandidaturë, në rast se nuk arrihet marrëveshje politike.

“Tash na duhen përgatitje të reja në VV, por natyrisht që do ta diskutojmë edhe këtë çështje. Dhe duket që, kur s’ka mundësi për marrëveshje politike, kur s’ka mundësi për propozim konsensual, atëherë do të kemi propozime partiake që do të merren vesh shpejt”, u shpreh Kurti.